Një vdekje e dyshimtë po hetohet në Shtime, pasi një pacient i Qendrës Integruese për Rehabilitim dhe Shërbime Komunitare është gjetur pa shenja jete në ambientet e institucionit.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se ngjarja është zbuluar paraditen e së enjtes, kur Policia është njoftuar të dalë urgjentisht në QIRSKP në rrugën “Tahir Sinani”.
Sipas informacioneve të para, viktima, Bardhyl Rifati 52 vjeç është gjetur i shtrirë përmbys në tokë dhe i gjakosur brenda qendrës ku po trajtohej si pacient.
Mjeku i institucionit, pas ekzaminimit fillestar, ka konstatuar se ai ishte pa shenja jete.
Vendi i ngjarjes është siguruar menjëherë nga Policia, ndërsa në vend kanë dalë hetuesit e stacionit policor dhe më pas edhe Njësia e Hetimeve Rajonale nga Ferizaj, të cilët kanë kryer ekzaminimin, dokumentimin dhe fotografimin e të gjitha rrethanave në vendin ku u gjet viktima.
Është intervistuar edhe punonjësi i qendrës, i cili kishte vërejtur i pari viktimën të shtrirë në tokë dhe kishte njoftuar personelin mjekësor.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa Hetimet Rajonale në Ferizaj po vazhdojnë punën për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat që çuan në vdekjen e 52-vjeçarit.
Gazeta Sinjali do t’ju mbajë të informuar për çdo zhvillim të ri lidhur me këtë rast.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!