image Gjykata merr vendim për reformën në arsim të nisur nga Qëndron Kastrati

Arsim

Gjykata merr vendim për reformën në arsim të nisur nga Qëndron Kastrati

news image

Ish-kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka bërë të ditur se Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën për pëzullim të vendimit të Komunës për shpërndarje të nxënësve nëpër klasë me nga 4-5 nxënës.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kastrati ka thënë se ky është vendimi më i drejtë dhe i duhur për nxënësit e Kamenicës, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas tij, ky vendim kthen shpresën për vazhdimin e një procesi që synon përmirësimin e kushteve të edukimit dhe kualitetin e arsimit në Kamenicë.

“Sot Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën për pezullim të ekzekutimit të vendimit të Komunës së Kamenicës për shpërndarje të nxënësve nëpër klasë me nga 4-5 nxënës. Ky është vendimi më i drejtë dhe i duhur për nxënësin e Kamenicës. Ky vendim e kthen shpresën për vazhdimin e një procesi që synon përmirësimin e kushteve të edukimit për fëmijët e Kamenicës. Një procesi i cili e mundëson përmirësimin e kualitetit të arsimit në Kamenicë. Vazhdimi i reformës në arsim në Kamenicë është i domosdoshëm për zhvillimin e mirëfilltë të gjeneratave të reja, për barazinë ndërmjet fëmijëve e modernizim të kushteve të mësimnxënies.”, ka shkruar ai.

Më tutje, Kastrati e ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje se po tenton që ta ndalojë reformën në arsim që ka nisur gjatë kohës sa Kastrati ishte kryetar.

“Është i pakuptueshëm angazhimi destruktiv i Vetëvendosjes ndaj reformës në arsim edhe pas përfundimit të zgjedhjeve. Në fazën e fushatës elektorale i kam kuptuar edhe deklaratat shqetësuese të Glauk Konjufcës në Kamenicë. Vetëvendosje me dëshpërim synonte të fitonte ndonjë komunë. Por kjo që po vazhdon të ndodhë edhe sot është e papranueshme. Është edhe mosdije edhe mashtrim edhe dëm i madh. Kjo që po ndodhë është tregues për mungesën e vlerave minimale progresive e demokratike të një subjekti politik. Një subjekt politik që pretendon se me numra e pushtet mund të anulojë proceset e drejta për të mirën publike. “, ka thënë tutje ai.

/GazetaSinjali/