image Gjykata merr vendim për burrin që dyshohet se bashkëjetoi dhe e rrahu një të mitur në Prizren

Drejtësi

Gjykata merr vendim për burrin që dyshohet se bashkëjetoi dhe e rrahu një të mitur në Prizren

news image

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndaj të pandehurit me iniciale L.B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Bashkësia jashtëmartesore me personin nën moshën 16-vjeçare dhe lëndim i lehtë trupor, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas njoftimit të gjykatës, kjo masë do t’i llogaritet prej kohës së arrestimit, 7 qershor 2021 deri më 6 korrik të këtij viti.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit L.B., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.

“Nga provat e mbledhura në këtë fazë rrjedh dyshimi i bazuar se në periudhën kohore nga janari i vitit 2021, e deri më 07 qershor, i pandehuri i moshës madhore bashkëjeton në një bashkësi jashtë martesore  me personin të miturën e cila është në mes të moshës katërmbëdhjetë – gjashtëmbëdhjetë vjeçare”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, më 5 qershor të këtij viti, L.B., pas një mosmarrëveshje që ka pasur me të miturën, dyshohet se i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Në njoftimin e gjykatës thuhet se kur e mitura ka kërkuar që të ndahet nga L.B., ai e kishte shtyrë për muri dhe e kishte goditur dy herë me rrip në shpatullën e këmbës, duke i shkaktuar lëndime të lehta.

“Gjyqtarja e procedurës ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh peshën e veprave penale dhe dënimit i cili parashikohet për këto vepra penale i pandehuri mund të vendos të fshihet në ndonjë vend të panjohur për organet e ndjekjes me qëllim që t’i shmanget përgjegjësisë penale”, thuhet në njoftim./Gazeta Sinjali/