image Gjykata Kushtetuese tregon se a është marrë vendimi për dekretin e presidentit

Kosovë

Gjykata Kushtetuese tregon se a është marrë vendimi për dekretin e presidentit

news image

Gjykata Kushtetuese nuk ka edhe shumë kohë që ta shpallë aktgjykimin e saj lidhur me dekretin e presidentit për mandatarin dhe mundësinë e formimit të një qeverie të re.

Në pritje të këtij aktgjykimi që do të publikohet më së largu të premten, kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe presidentit Hashim Thaçi kanë vazhduar kundërshtitë, duke besuar që verdikti i Kushtetueses do t’i favorizojë pretendimet e tyre.

Dje dhe sot, duke u thirrur në burime të tyre brenda Kushtetueses, disa media kanë raportuar se vendimi i shumëpritur tashmë është marrë dhe se vetëm pritet që ai të publikohet para fundjavës. Të tjera raportime thonë se vendimi do të merret nesër.

Në një përgjigje për Gazetën Sinjali, Gjykata Kushtetuese ka thënë se ende nuk ka vendosur për këtë çështje.

Kushtetuesja ka refuzuar të tregojë se kur pritet të merret vendimi që do t’u japë rrjedhë të qartë zhvillimeve të mëtejme politike në vend.

“Kjo lëndë është ende duke u shqyrtuar”, thekson përgjigja dërguar Gazetës Sinjali nga drejtori i Zyrës për Komunikim dhe Informim në Gjykatën Kushtetuese, Veton Dula.

Një konfuzion lidhur me këtë çështje kishte nisur para disa ditësh, kur një medium raportoi se me votat e 7 gjyqatarëve “Gjykata Kushtetuese do t’ia rrëzojë dekretin për mandatarin presidentit Hashim Thaçi, por do t’i hapë rrugë planit të tij për ta bërë një qeveri të re, pjesë e së cilës nuk do të jetë Lëvizja Vetëvendosje”.

Këtë po ashtu e kishte mohuar të premten Gjykata Kushtetuese.

“Këto janë lajme të pasakta dhe nuk qëndrojnë. Gjykata ende nuk ka vendosur”, thuhej në përgjigjen e Kushtetueses

Vendimi për çështjen më të rëndësishme aktuale politike në vend, Dula kishte thënë se do të merret pasi të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të palëve në këtë proces. Ai kishte theksuar se vendimi do të publikohet në po të njëjtën ditë.

“Vendimi meritor përkitazi me kërkesën në tërësi do të merret pasi që Gjykata të shqyrtojë të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të palëve të interesit. Sipas praktikës së deritanishme, Gjykata e informon opinionin publik për çdo vendimmarrje, në të njëjtën ditë pas përfundimit të seancave shqyrtuese”, thuhej në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese dërguar Gazetës Sinjali të premten.

Një javë më parë, Gjykata Kushtetuese përmes një reagimi dërguar mediave ka kërkuar nga kryeministri më detyrë, Albin Kurti dhe presidenti Hashim Thaçi që të mos bëjnë presion dhe ndërhyrje në pavarësinë e saj institucionale. /Gazeta Sinjali/