image Shpallet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i jepet e drejta formimit të qeverisë së re

Drejtësi

Shpallet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i jepet e drejta formimit të qeverisë së re

news image

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur aktgjykimin në lidhje me çështjen e dekretit të presidentit për mandatarin.

Me shumicë votash, Gjykata Kushtetuese ka vendosur se vendi nuk shkon në zgjedhje pas mocionit të mosbesimit, por hapet rruga për krijimin e qeverisë së re. Ky aktgjykim është arsyetuar në detaje në 36 pika, raporton Gazeta Sinjali.

“Në vlerësimin e Dekretit [nr. 24/2020] të 30 prillit 2020 të Presidentit të Republikës së Kosovës, përmes së cilit “Z. Avdullah Hoti, i propozohet Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidat për Kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës”, Gjykata, vendosi: (i) njëzëri që kërkesa e parashtrueseve të kërkesës është e pranueshme; (ii) njëzëri që Dekreti i kontestuar i Presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas aktgjykimit, presidenti nuk mund ta shpërdajë Kuvendin i vetëm, pa u bashkërenduar me shumicën e nevojshme të deputetëve.

“Mundësia e Presidentit për të shpërndarë Kuvendin, nuk mund të ushtrohet në mënyrë të pavarur e as në kundërshtim me vullnetin e Kuvendit, por duhet të ushtrohet në bashkërendim me vullnetin e shumicës së nevojshme të përfaqësuesve të popullit të përfaqësuar në Kuvend. Përdorimi i foljes “mund” në kontekst të paragrafit të 2 të nenit 82 të Kushtetutës reflekton vetëm mundësinë e Presidentit për të shpërndarë Kuvendin, bazuar në konsultimet me partitë politike të përfaqësuara në Kuvend. Një konstatim të tillë lidhur me kompetencat presidenciale që ndërlidhen me foljen “mund” [“može”/“may”] në kontekst të shpërndarjes se Kuvendit, konfirmohet edhe në Opinionet e Komisionit të Venecias të përfshira në këtë Aktgjykim”, thuhet ndër tjerash në arsyetimin e Kushtetueses. /Gazeta Sinjali/