image Gjykata e Romës liron nga të gjitha akuzat ish-ambasadorin Giffoni dhe stafin e tij për rastin e vizave në Kosovë

Drejtësi

Gjykata e Romës liron nga të gjitha akuzat ish-ambasadorin Giffoni dhe stafin e tij për rastin e vizave në Kosovë

news image

Të hënën, më 27 shtator, Gjykata Penale e Romës e ka liruar ish-ambasadorin italian në Kosovë Michael Giffoni, ish-konsullin Habib Fawzi dhe ish-bashkëpunëtorin konsullor Florian Petani, nga të gjitha akuzat për veprat penale krim i organizuar dhe kontrabandim me migrantë.

Gjykimi ndaj tyre filloi në vitin 2016 dhe ndërlidhet drejtpëdrejt me rastin e vizave në Ambasadën Italiane në Prishtinë, në të cilën përfshihen Ukë Rugova dhe të tjerët, kundër të cilëve është në vazhdim e sipër gjykimi pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në shkurt të vitit 2014, Ministria e Punëve të Jashtme e Italisë, largoi nga puna ish-ambasadorin Michael Giffoni, ish-konsullin Habib Fawzi dhe ish-bashkëpunëtorin konsullor Florian Petani, për shkak të rastit të vizave, që bëri bujë jo vetëm në mediat vendore, po edhe në ato ndërkombëtare.

Ish-bashkëpunëtori Florian Petani po gjykohet në Kosovë për të njëjtat akuza, për të cilat i njëjti paralelisht është gjykuar edhe nga Gjykata penale e Romës, e cila ditën e djeshme e liroi nga të gjitha akuzat.

Pas një gjykimi maratonik, që zgjati rreth 5 vjet, dje Gjykata e Romës liroi ish-ambasadorin Michael Giffoni, ish-konsullin Habib Fawzi dhe ish-bashkëpunëtorin konsullor Florian Petani nga akuza për krim të organizuar, për shkak se gjatë gjykimit nuk u provua se të njëjtit kishin kryer këtë vepër. Ndërsa sa i përket veprës penale të kontrabandimit me migrantë, të njëjtit u liruan, pasi sipas Gjykatës veprimet e kontestuara nga Prokuroria nuk përbëjnë vepër penale.

Përmes këtij verdikti, Gjykata penale në Romë, që shquhet për moralizëm të lartë dhe politika ndëshkimore të ashpra karshi zyrtarëve publikë që shkelin ligjin, vërtetoi pafajësinë e personave të përfshirë në këtë gjykim, duke i dhënë fund sagës kafkiane që secili prej të treve ka kaluar gjithë këto vjet, si dhe duke u kthyer atyre sadopak nderin, dinjitetin dhe reputacionin e dëmtuar padrejtësisht përgjatë gjithë kësaj periudhe.

Megjithatë ky verdikt assesi nuk do të sanojë dëmet psikologjike, financiare dhe shëndetësore të pësuara si rrjedhojë e këtij procesi të pabazuar.

/GazetaSinjali/