Pedagogët e gjuhësisë në Tiranë kanë kërkuar nga Qeveria e Shqipërisë politika konkrete për mbrojtjen e shqipes. Sipas tyre përdorimi i gjuhës amtare në publik, sidomos nga brezi i ri ka mangësi të mëdha.
“Kjo situatë urgjence vërehet jo vetëm në media, vërehet në nivele të frikshme në politikë, te studentët, te mësuesit në shkolla”, thotë Aljula Jubani, pedagoge e gjuhës shqipe. “Pra shteti duhet të orientohet të ndërtojë politika serioze për mësimin, zotërimin e shqipes në të gjitha nivelet”.
Pedagogë e studiues të gjuhës propozojnë ndarjen e shqipes nga letërsia që në arsimin e detyruar e deri në provimin e maturës shtetërore. Kjo lëndë për ta duhet të jetë e detyrueshme edhe në Universitete.
“Në pjesën më të madhe të fakulteteve si lëndë me zgjedhje, por pse jo në disa Fakultete specifike të jetë edhe lënë me detyrim”, thotë Rozana Rushiti, pedagoge e gjuhës shqipe.
“Gjuha shqipe duhet të hyjë si lëndë e veçantë, me orë të veçanta, dhe duhet të jetë detyrimisht provim shteti. Është tjetër gjë zotërimi i letërsisë, i të gjitha lëndëve, por gjuha është në themel të kompetencave të çdo individi”, thotë Jubani.
Edhe studentët pranojnë publikisht mangësitë e mëdha, sidomos te koha e foljeve. / Gazeta Sinjali/