image Gjuajtja me armë zjarri për pronën në Deçan, "uzurpatori" gjuajti në drejtim të punëtorëve të pronarit të ri

Siguri

Gjuajtja me armë zjarri për pronën në Deçan, “uzurpatori” gjuajti në drejtim të punëtorëve të pronarit të ri

news image

Gazeta Sinjali raportoi dje se në fshatin Rastavicë të Deçanit, një person i cili dyshohet se ka uzurpuar për disa vjet me radhë një pronë, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të punëtorëve të pronarit të ri të pronës, të cilët kishin dalë për të punuar aty.

Nga Policia e rajonit të Pejës kanë bërë të ditur për Gazetën Sinjali se në vendin e ngjarjes policia ka gjetur tri gëzhoja, kalibri i të cilave nuk dihet.

“Në vendin e ngjarjes janë gjetur 3 gëzhoja, mirëpo për momentin i dyshuari ende nuk është identifikuar, është në kërkim. Rasti është iniciuar si ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’,sipas Kodit Penal. Kështu me konsultim të prokurorit hetimet janë duke vazhduar dhe varësisht prej rrethanave do të ndërrohet edhe statusi i rastit”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Gazeta Sinjali mëson se nga të shtënat është qëlluar edhe automjeti i punëtorëve, në të cilin policia ka vërejtur tri vrima të plumbave dhe një predhë.

Gazeta Sinjali raportoi dje se motivi i gjuajtjes me armë zjarri dyshohet se është një konflikt pronësor që ka nisur disa vjet më parë.

Sipas një sinjalizuesi të Gazetës Sinjali, prona e cila ka nxitur këtë konflikt është blerë nga një person, por disa persona nga ky fshat dyshohet se e kanë uzurpuar pronën dhe nuk e kanë lejuar pronarin e ri që ta punojë ose që ta shes atë.

Ky sinjalizues ka bërë të ditur se disa punëtorë të pronarit të ri kanë shkuar sot për ta punuar tokën, për çka në drejtim tyre, të dyshuarit për uzurpimin e saj, kanë shtënë me armë zjarri./Gazeta Sinjali/