Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka gjobit Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) për përpunim të kundërligjshëm të të dhënave personale.
Ndërkaq, sipas AIP-së, ATK-ja, si një ndër kontrolluesit më të mëdhenj të të dhënave personale në Kosovë, brenda afatit të përcaktuar ka zbatuar vendimin e saj.
“Agjencia për Informim dhe Privatësi me vendimin Nr. 04/22, të datë 24.01.2022, ka shqiptuar gjobë kundërvajtëse ndaj Administratën Tatimor të Kosovës për përpunim të kundërligjshëm të të dhënave personale. Administrata Tatimore e Kosovës ka ndërmarrë masa të menjëhershme në zbatim të vendimit të AIP-së, duke dëshmuar në këtë rast gatishmërinë e tyre për respektim të Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, thuhet në njoftimin për media të AIP-së.
AIP shpjegon se Ligji Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka paraparë, që çdo kontrollues, përpunues i të dhënave personale, përpunimin e të dhënave ta bëjë në mënyrë të ligjshme, “në të kundërtën Agjencia për Informim dhe Privatësi, në bazë të kompetencave ligjore, është e detyruar të ndërmarrë veprimet dhe masat e duhura deri tek shqiptimi i gjobave për mosrespektim të dispozitave të parapara në ligj”.