Dy ditë më parë u raportua se futbollisti i Gjilanit Theophilus Solomon është arrestuar nga policia e Kosovës duke mos u bërë të qarta arsyet e këtij arrestimi.
Por sot, klubi i futbollit Gjilani përmes një komunikate për media ka bërë të ditur arsyen e arrestimit të futbollistit të skuadrës së tyre.
Në komunikatë thuhet se arrestimi i Solomon ka ndodhur për shkak të një rasti personal që ka pasur më herët, teksa ishte pjesë e kampionatit shqiptar pak vite më parë.
Klubi i Superligës së Kosovës ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim me autoritete e rendit në lidhje me këtë rast.
Komunikata e plotë e Gjilanit:
Sport Club Gjilani përmes kësaj komunikate dëshiron të njoftojë opinionin në lidhje me situatën e krijuar me futbollistin e ekipit tonë, Theophilus Solomon.
Futbollisti me origjinë nga Nigeria të premten është shoqëruar nga policia për shkak të një rasti personal që ka pasur më herët, teksa ishte pjesë e kampionatit shqiptar pak vite më parë. Ne si klub do të bashkëpunojmë maksimalisht me autoritetet relevante deri në sqarimin dhe pastrimin e plotë të këtij rasti. Sport Club Gjilani gjithmonë ka treguar kujdes gjatë angazhimit të lojtarëve të ri, kur paralel me cilësitë futbollistike vëmendje i kemi kushtuar edhe anës njerëzore. Njëjtë edhe me futbollistin Theophilus Solomon, i cili ka treguar sjellje tejet korrekte dhe ka qenë shembull për të tjerët në shumë raste.
Ne si klub ofrojmë bashkëpunim sa i përket pjesës tonë të kompetencave edhe pse realisht nuk kemi asnjë lidhje me kohën dhe vendin ku ka ndodhur ngjarja. Sport Club Gjilani nuk do të bëjë asnjë koment tjetër në lidhje me futbollistin Theophilus Solomon, derisa autoritetet kompetente të dalin me një vendim përfundimtar.