image Gjilani kërcënoi me ndërprerjen e ndeshjes, klubi rus u kërkoi falje

Futboll

Sqarimi/ Gjilani kërcënoi me ndërprerjen e ndeshjes, klubi rus u kërkoi falje

news image

SC Gjilani ka reaguar pasi klubi rus me të cilin po zhvillojnë ndeshje miqësore, Yenisey Krasonyarsk, i ka përshkruar në ‘Youtube’ si klub serb.

Në kontratën e kësaj ndeshjeje miqësore të nënshkruar nga të dy klubet, SC Gjilani përshkruhet si klub nga Kosova dhe jo nga Serbia, siç u përshkrua në transmetimin direkt në kanalin e klubit rus në ‘Youtube’, shkruan Gazeta Sinjali.

Kontrata vë në pah një fakt të rrallë, se për herë të parë, një klub rus pranon të luajë ndeshje kundër një klubi nga Kosova, duke e njohur zyrtarisht si të tillë.

Klubi nga liga e dytë e Rusisë, Yenisey Krasonyarsk, ndonëse ishte pajtuar të luante miqësisht kundër klubit kosovar, transmetimin direkt të ndeshjes e ka titulluar “Ndeshja miqësore Yenisei vs Gilani (Serbia)”.

Kjo është ndryshuar pasi SC Gjilani e kushtëzuar zhvillimin e mëtejmë të ndeshjes me përmirësimin e këtij titulli.

Drejtori ekzekutiv i klubit, Sevdail Robelli i ka thënë Gazetës Sinjali se kanë dashur që ta ndërprejnë ndeshjen në rast të mosndryshimit të titullit. Robelli ka thënë se drejtuesit e klubit rus në pushimin ndërmjet pjesëve kanë kërkuar falje për titullin.

“Pas reagimit të zyrtarëve të klubit të Gjilanit nga ku dhe u shqyrtua mundësia e ndërprerjes së takimit, zyrtarë të klubit të Yenisey e përmirsuan gabimin e bërë gjatë transmetimit, duke e ndërruar vendin e origjinës së klubit tonë dhe tani figuron ekip nga Kosova”, thuhet në reagimin e klubit nga Anamorava në Facebook.

Ndeshja testuese e SC Gjilanit kundër klubit që sezonin e kaluar luajti në Premierligën ruse po zhvillohet në “Emirhan Football Center” në Antalia të Turqisë.

Gjilani e ka fituar ndeshjen me rezultat minimal 1:0. /Gazeta Sinjali/