Nuk janë të pakta rastet në Kosovë, kur viktima të dhunës në familje janë prindërit të cilët përjetojnë nga fëmijët e tyre dhunë psikike e fizike, raporton Gazeta Sinjali.
Në hall me djalin e tij është edhe një burrë në Gjilan, i cili ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës për të evituar rrezikun që i kanoset si pasojë e veprimeve të dhunshme të 20-vjeçarit.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i riu dyshohet që tash e një kohë është larguar nga shtëpia, por që është kthyer atje në ditët e fundit.
E ardhja e tij në shtëpinë e prindërve u përcoll me zhurmë e telashe, pasi ai dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj babait të tij, të cilin madje ka tentuar edhe ta sulmojë fizikisht. Në konflikt e sipër, 20-vjeçari ka shkaktuar edhe dëme të mëdha materiale në shtëpi, pasi me veprimet e tij të dhunshme ka shkatërruar orenditë shtëpiake.
Përballë kësaj situate, 62-vjeçari ka rrëfyer në Polici gjithë problemet që ka me të birin, duke bërë kështu që njësitë policore të arrestojnë të dyshuarin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.