image "Gjendje shqetësuese, kjo është turp..."/ Pacientët të revoltuar me praninë e maceve në Spitalin e Gjakovës

Sinjalizime

“Gjendje shqetësuese, kjo është turp…”/ Pacientët të revoltuar me praninë e maceve në Spitalin e Gjakovës

news image

Jo vetëm problemet e shërbimit, por edhe infrastruktura spitalore po e bën të vështirë trajtimin e pacientëve në spitalet e Kosovës. Shumë herë janë publikuar pamje të gjendjes së mjerueshme në disa institucione shëndetësore, ku jo rrallëherë ka pasur edhe ‘pacientë’ kafshë. Raste të tilla kanë ndodhur edhe në Spitalin Rajonal të Gjakovës “Isa Grezda”, për të cilin Gazeta Sinjali ka raportuar shpesh për macet që sillen nëpër hapësirat e spitalit, pa u penguar nga askush.

Në fund të vitit të kaluar, ka pasur një reagim nga ky spital, duke e pranuar praninë e maceve, me arsyetimin se është e pamundur të ndalohet futja e tyre, për shkak se spitali ka disa porta hyrëse dhe shumë dritare që kanë pemë afër. Megjithatë, në reagimin e spitalit thuhej se një kompani vullnetarisht po punon që të bëjë largimin e maceve, duke ngritur kurthe.

Por siç duket, avazi i vjetër po vazhdon.

Një sinjalizues i Sinjalit ka dërguar së fundmi pamje nga ky spital, të cilat i ka quajtur “dramatike dhe të turpshme” për një institucion publik shëndetësor, aty ku pastërtia duhet të jetë në nivel. “Macet po hyjnë nëpër dhomat e pacientëve, ku ka më turp?”, janë fjalët e sinjalizuesit, teksa ka dërguar videon, të cilën mund ta shihni më poshtë.

Për të marrë një prononcim për këtë gjendje të spitalit dhe praninë e maceve nëpër hapësirat ku trajtohen pacientët, Gazeta Sinjali ka kontaktuar drejtorin e Spitalit, Ardian Jusufi, por ende s’ka marrë një përgjigje.

Kujtojmë se në reagimin e fundit që pati bërë spitali, raportimet e Sinjalit janë quajtur tendencioze, gjë që nuk qëndron, pasi si në të kaluarën, edhe tash, si dhe në të ardhmen, Sinjali do të vazhdojë të raportojë për çdo parregullsi dhe problem me fakte, e sidomos për gjendjen në spitale.

Sigurisht se Gazeta Sinjali raporton edhe për sukseset e institucioneve shëndetësore në Kosovë, por që nuk mund t’i anashkalojë rastet kur mund të rrezikohet jeta e pacientëve.

/GazetaSinjali/