image Gjendje alarmante në shumë shkolla të Kamenicës

Kosovë

SBASHK/ Gjendje alarmante në shumë shkolla të Kamenicës

news image

Ideja e pamatur dhe e pa analizuar e kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati, që në emër të “reformave” të mbyll shkolla, u kundërshtuan që nga fillimi nga nxënësit, prindërit dhe punëtorët arsimor.

Ky kundërshtim u mbështet arsyeshëm nga SBASHK-u dhe u tha qartë se nuk do të lejohet të mbyllet as një shkollë sepse ato nuk janë pronë e Kastratit,  por janë vatra arsimore të nxënësve dhe mësimdhënësve të Busavatës, Tugjevcit, Strezovcit e Krilevës.

Kështu thotë Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBASHK) përmes një reagimi për media.

Sipas SBASHK-ut, Kastrati u mundua të ndikojë te opinioni me deklarata të pasakta se bëhet fjalë për shkolla me nga një nxënës, por e vërteta në këto shkolla është krejt tjetër.

“Prindërit, nxënësit dhe mësimdhënësit në këto fshatra qëndrojnë në mbrojtje të shkollave të tyre dhe kanë përkrahjen e kolegëve nga Kamenica dhe e tërë Kosova. Mësimi po vazhdon të mbahet edhe në këto shkolla, por Kastrati vazhdon po ashtu me idenë e tij”, thuhet në reagimin e SBAShK-ut.

Ata thonë se në këtë situatë kur gjendja në shkollat në Kamënicës është alarmante e me qëllim që të kthehet atmosfera e punës e pa stres e presione, SBASHK i drejtohet publikisht MASHT-it që të veprojë në stabilizimin e gjendjes atje.

“Të shoh nga afër situatën në shkollat e këtyre fshatrave dhe në të gjitha të tjerat dhe të merr masa, si themelues i institucioneve të arsimit, që atje të ketë tekste shkollore, ditarë e mjete të tjera të nevojshme pune dhe t’i mbrojë mësimdhënësit, nxënësit e prindërit në Kamenicë nga tekat dhe idetë e pa analizuara e të dëmshme të kryetarit Kastrati”, thekson SBASHK.

Kjo sindikatë në fund ka shtuar se nëse MASHT përmes zyrtarëve të lartë e të inspektorëve nuk vepron tani, gjendja do të komplikohet edhe më shumë dhe të sjellë edhe te greva e përplasjet mes palëve dhe për këtë përgjegjësinë do ta bartë kryetari Kastrati, por edhe ata që duhet të veprojnë për stabilizimin e gjendjes./Sinjali/