Yllka Derri që kishte qenë e zhdukur që nga qershori i këtij viti është gjetur sot nga Policia e Kosovës. Gazeta Sinjali kishte raportuar javën e kaluar sesi e mitura nuk ishte gjetur tash e sa kohë, ndërkohë që nëna e saj kërkonte që të gjendej sa më parë vajza e saj.
Policia e Kosovës ka njoftuar se është kontrolluar shtëpia e Besart Blerim Radostës, ku aty është gjetur e zhdukura Yllka Derri.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, respektivisht Sektori Rajonal për Hetime me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Gjakovë sot në ora 06:30 ka realizuar një operacion kontrolli në shtëpinë e personit të dyshuar Besart (Blerim) Radosta, i dyshuar për vepër penale “Bashkësi jashtëmartesore me personin nën moshën 16 vjeçare””.
“Gjatë operacionit policor është arrestuar personi i dyshuar e po ashtu është gjetur edhe personi i mitur Yllka (Naim) Derri e cila ishte raportuar si person i zhdukur nga familjarët e saj që nga data 15 qershor e këtij viti”, thuhet në njoftim ne Policisë së Kosovës.
Gjatë javës së kaluar Gazeta Sinjali kishte raportuar se Yllka Derri po vazhdonte të jetë e zhdukur, ndërsa nëna e saj drejtonte gishtin nga Besart Blerim Radosta.
Yllka Derri më 14 qershor të këtij viti ishte nisur për në shkollë, ku kishte qenë duke vijuar mësimet në klasën e nëntë. Vetëm dy orë pasi ishte nisur nga shtëpia, babai i Yllkes, Naimi, kishte marrë një thirrje telefonike, raporton Gazeta Sinjali.
Marrëdhëniet mes dy familjeve nuk ishin aspak të mira, për shkak se prindërit e Yllkës nuk ishin pajtuar që vajza e tyre të kalojë në një fazë të tillë ‘martesore’ si 15-vjeçare. Ata kanë lajmëruar Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë Themelore të Gjakovës, por vajza e tyre kishte qëndruar e zhdukur për rreth gjashtë muaj./Gazeta Sinjali/