Ka marrë fund ankthi i familjes nga Gjakova që raportoi zhdukjen e vajzës së tyre 17-vjeçare, pasi e mitura është gjetur shëndoshë e mirë dhe është kthyer pranë familjes.
Gazeta Sinjali mëson se 17-vjeçarja, me inicialet L.B., ishte raportuar e zhdukur pasi ishte larguar nga shtëpia mbrëmjen e 9 qershorit, me arsyetimin se po dilte për të blerë cigare, por nuk ishte kthyer më dhe nuk u ishte përgjigjur thirrjeve të familjarëve.
Rasti kishte alarmuar familjen, e cila kishte kërkuar ndihmën e Policisë, duke deklaruar se e kishte kërkuar vajzën në vendin e saj të punës dhe në lokacione të ndryshme, por pa sukses.
Pas veprimeve operativo-hetimore të ndërmarra nga Policia, e mitura është lokalizuar dhe është intervistuar më 11 qershor në prani të prindit.
Sipas deklarimit të saj, ajo ishte larguar nga shtëpia për të blerë duhan dhe më pas kishte qëndruar e vetme në rrugë, pa qenë e detyruar nga askush dhe pa pasur ndonjë problem apo konflikt familjar që do ta shtynte të largohej.
Ajo ka deklaruar se ishte kthyer në shtëpi mbrëmjen e 10 qershorit, rreth orës 20:00, në gjendje të mirë shëndetësore, ku do të vazhdojë të jetojë me familjen e saj.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit për të Mitur, ndërsa rasti është mbyllur si “Person i zhdukur – i gjetur”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!