Në Repartin e Hemato-onkologjisë Pediatrike në QKUK, këtë vit janë trajtuar 56 fëmijë që vuajnë nga leukemia akute.
Kjo sëmundje e kancerit llogaritet si më e shpeshtë tek fëmijët për të cilin kërkohet trajtim deri në dy vite. Fëmijët që trajtohen janë prej 1-muajsh e deri në 18-vjeç ndërsa mosha më e prekur që kërkojnë shërim në këtë klinikë është ajo e parashkollorëve.
Drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, Violeta Grajçevci-Uka, tregon se rastet e reja në vit me këtë sëmundje që kërkojnë trajtim sillet deri në 55 të tilla.
“Duke marrë parasysh që numrin e rasteve që lajmërohen në Klinikën e Pediatrisë gjerësisht në Repartin e Hematoonkologjisë, numri i tyre sillet diku prej 50 deri në 55 raste në vit po flas për rastet e reja, këtë vit deri më tani kemi pasur 56 raste ka ndodhur ndonjë vit që kemi më shumë por është plus-minus pesë raste brenda një viti. Në bazë të kësaj e vlerësojmë që nuk kemi ndonjë rritje apo zvogëlim të këtyre rasteve me manuitetet e moshave pediatrike”, ka treguar Grajçevci-Uka.
Grajçevçi-Uka thotë se fëmijët në spital qëndrojnë deri në tre muaj por terapia duhet të vazhdojë deri në dy vite.
“Këta fëmijë qëndrojnë deri në tre muaj për arsye se është edhe faza e induksionit që ne e quajmë fazë e trajtimit si të themi intensiv të sëmundjes apo të trajtimit, dhe pacientët qëndrojnë diku tre muaj, por terapia komplet e cila kërkon trajtim të fëmijëve është diku deri në dy vjet”, ka shtuar ajo.
Mjekja specialiste e pediatrisë dhe hematologjisë tregon edhe për shenjat e para që vihen re të fëmijët me leukemi.
“Ka shenja të ndryshme tek këta fëmijë që i vërejmë, ku në rend të parë tek shumica e rasteve dominojnë një anemi me etnologji të pashpjegueshme, se ne kemi raste edhe të anemive të ndryshme, mënyra e të ushqyerit nuk ka qenë adekuate dhe ka ardhur deri tek një anemi që ne i kemi me mungesë të hekurit më të shpeshta, por një anemi me etnologji të pashpjeguar, mandej me plogështi, lodhje, me ndryshime në lëkurë ndonjëherë me formë të pikave të kuqe në lëkurë apo të gjakderdhjeve të imta, ku nuk ka të bëjë me numrin e ulur të tropocideve, janë qelizat e gjakut të cilat marrin pjesë në kalkulimin e gjakut apo të trashjes së gjakut, ndonjëherë të parat që preken te leukemitë janë këto qeliza që zvogëlohen, d.m.th shkatërrohen në palcën koskore dhe neve na vjen me një numër të zvogëluar të trombociteve”, ka thënë ajo.
Grajçevci-Uka thotë se pacientët që trajtohen në këtë klinikë janë deri në moshën 18-vjeçare, por numri i të prekurve mbetet ai i parashkollorëve.
“Ne trajtojmë fëmijët prej moshës 1-mujore deri në moshën 18-vjeçare, fëmijët më të shpeshtë i kemi diku të moshave parashkollore, kemi pasur raste edhe të moshave të rritura në kuptimin e moshave 15-17 vjeç, kemi fëmijë që i trajtojmë edhe ato por më shumë kemi fëmijë të moshave parashkollore”, tha ajo për kp.
Në lidhje me furnizimin me barna, Grajçevci-Uka thotë se i marrin nga barnatorja qendrore mirëpo për këtë kujdeset edhe nga shoqata “Care for Kosovo Kids”.
“Medikamentet zakonisht furnizohemi prej barnatores qendrore një pjesë e tyre, kurse një pjesë e tyre e cila mungon zakonisht furnizohemi prej shoqatës humanitare e cila na ndihmon që sa vite me radhë, shoqata ‘Care for Kosovo Kids’, për pjesën tjetër e cila mungon prej barnatores furnizohemi nga kjo shoqatë”, vijoi ajo.
Për fëmijët me leukemi në këtë kohë të vitit mendojnë edhe shoqatat e tjera të cilat në mënyrë të organizuar kujdesen që t’i gëzojnë me dhurata të ndryshme.