image Gjatë vitit 2020, 8.14% e kosovarëve iu ekspozuan duhanit

Shëndetësi

Gjatë vitit 2020, 8.14% e kosovarëve iu ekspozuan duhanit

news image

Që nga viti 2013 Kosova ka miratuar Ligjin për Kontrollin e Duhanit me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik të gjeneratave të tanishme dhe të ardhshme nga pasojat shkatërruese shëndetësore, sociale, ekonomike dhe mjedisore të konsumimit të duhanit dhe ekspozimit ndaj tymit të duhanit, shkruan Gazeta Sinjali.

Por sipas Qendrës Kosovare për Avokim dhe Zhvillim, niveli i zbatimit të LKD ka shënuar rënie vit pas viti dhe shkelja e ligjit sot është shndërruar në një dukuri të zakonshme.

“Bazuar në rezultatet e hulumtimit të realizuar nga Qendra Kosovare për Zhvillim dhe Avokim – KADC në shkurt të vitit 2020, 81,4% e qytetarëve i ekspozohen rregullisht tymit të duhanit në bare, kafene dhe restorante dhe 27% e tyre në vendet e punës. Përveç shkeljeve në sektorin e gastronomisë, shqetësues është niveli i lartë shkeljeve të ligjit nga vetë institucionet publike të cilat janë përgjegjëse që të zbatojnë ligjin duke përfshirë këtu shkeljet në kuvend, ministri, komuna, gjykata, polici dhe institucione tjera” thuhet në raportin e KADC.

Sipas KADC në Kosovë, produktet e duhanit konsumohen gjerësisht dhe haptazi në hapësira të mbyllura, vende publike dhe vende tjera ku është e ndaluar me ligj sikur të ishin produkte normale të konsumit.

Nëpërmjet kësaj letre, Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim – KADC dëshiron të sjellë në vëmendjen tuaj nevojën për veprim institucional për zbatimin e politikave të kontrollit të duhanit me qëllim të sigurimit të një mjedisi të shëndetshëm jetese për ne dhe për brezat e ardhshëm. Ne besojmë se një gjë e tillë është e mundur dhe se denormalizimi i dukurisë së duhanpirjes duhet të jetë prioritet i Qeverisë dhe institucioneve tjera pasi që vetëm në këtë mënyrë mund të mbrojmë shëndetin e qytetarëve dhe të parandalojmë që fëmijët tanë të bëhen duhanpirës. Qeveria dhe institucionet shtetërore duhet të angazhohen të punojnë në drejtim të përfundimit të pandemisë së duhanit. Prioritet i qeverisë duhet të jetë mbrojtja e shëndetit, barazisë dhe mirëqenies së njerëzve”, thuhet në kërkesën e KADC drejtuar institucioneve të Kosovës.

/Gazeta Sinjali/