Agjencia e Statistikave të Kosovë (ASK) i ka publikuar statistikat e kurorzimeve në Kosovë gjatë vitit 2019.
Sipas ASK-së, të dhënat tregojnë se në Kosovë gjatë vitit të kaluar janë kurorëzuar 17 mijë e 577 çifte bashkëshortore. Ndërkaq, mosha mesatare e të martuarve gjatë 2019-ës ka qenë 29.5. Prej tyre, mosha mesatare e meshkujve ishte 31 vjeç, ndërsa mosha mesatare e femrave ishte 28, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas përgatitjes shkollore, dominojnë femrat dhe meshkujt e kurorzuar me shkollë të mesme, ku numri i femrave të kësaj kategorie ishte 10 mijë e 757, ose 61.2%, ndërsa numri i meshkujve 11 mijë e 983, ose 68.2%.
Sipas grup-moshave, dominojnë kurorëzimet te femrat e moshës 20-24 vjeçare me 5 mijë e 750 kurorëzime, ose 32.7%. Ndërsa, te meshkujt dominon mosha 25-29 vjeçare me 5 mijë e 663, ose 32.2%.
“Të kurorëzuar sipas përkatësisë etnike: shqiptare janë 95.5% femra dhe 96.7% meshkuj; serbe janë 0.5% femra dhe 0.5% meshkuj; turke 0.4% femra dhe 0.5% meshkuj; boshnjake janë 1.0% femra dhe 0.4% meshkuj; rome, ashkalike dhe egjiptiane janë 1.1% femra dhe 1.1% meshkuj; kurse me përkatësi tjetër etnike janë 1.5% femra dhe 0.4% meshkuj”, thuhet në komunikatën e ASK-së.
Numri më i madh i kurorëzimeve ishin në komunën e Prizrenit (1 mijë e 646 kurorëzime), ose 8.8%; në komunën e Prishtinës (1 mijë e 364 kurorëzime), ose 7.3% dhe në komunën e Ferizajt (1 mijë e 123 kurorëzime), ose 6.0%, etj. /Gazeta Sinjali