Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 26 viktima nga COVID-19, në Kosovë, kurse gjashtë nga viktimat kanë qenë të vaksinuar me vaksinën anti-COVID.
Kështu ka njoftuar ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në konferencën që ka mbajtur sot për media.
Ministri Vitia është shprehur se nuk ka të dhëna se me sa doza kanë qenë të vaksinuar këta pacientë, megjithëse ka thënë se të gjithë kanë qenë me sëmundje shoqëruese.
“Nga 26 pacientë janë 6 pacientë të cilët kanë qenë të vaksinuar, mirëpo nuk është e specifikuar me një apo dy doza. Mirëpo të gjithë me sëmundje shoqëruese”, ka deklaruar ai.
Vitia ka kërkuar nga qytetarët që të vaksinohen dhe të respektojnë masat mbrojtëse kundër COVID-19 në mënyrë që të mbrohen nga ky virus.
Gjithashtu ai është shprehur se janë duke u përgatitur skenare në rast të rritjes së numrit të pacientëve të hospitalizuar me virus./GazetaSinjali/