Qytetarët e Kosovës shpesh raportojnë për pakënaqësitë që i kanë me kompanitë kontraktuese për mirëmbajtjen e ndërtesës ku ata jetojnë, raporton Gazeta Sinjali.
Në hall të njëjtë shprehet edhe një sinjalizues nga qyteti i Gjakovës, i cili sot ka mbetur për 15 minuta në liftin e ndërtesës së tij në kompleksin banesor “Jetishi Invest Group”, në rrugën “Yllka Domi”.
Ai thotë se është hera e dytë që i ndodh një gjë e tillë.
Sinjalizuesi po ashtu shton se pavarësisht që paguan 15 euro në muaj për mirëmbajtje, në lift mungon edhe ndriçimi, i cila sipas tij është në shërbim me 50% nga kapaciteti i plotë.
Për rastin në fjalë, Sinjali ka kontaktuar edhe kompaninë kontraktuese të këtij kompleksi “BSG-Bullding Services Group”.
Të njëjtit thanë se nuk kanë marr asnjë ankesë zyrtare, teksa shprehën gatishmërinë e tyre për ofrimin e ndihmës në përgjegjësit që i kanë, pavarësisht se shtuan që borxhi të cilin e ka kompleksi ndaj kësaj kompanie është goxha i madh.
“Nuk është e vërtetë. Përderisa kemi kontratë, i kemi edhe numrat zyrtar. Ata mundem me bë thirrje telefonike te ne, por deri tash nuk ka thirrje. Ne jemi ata që e zgjidhim problemin”, u shpreh përgjegjësi i kësaj kompanie.
“Vetëm një herë kemi pasur thirrje, kur ka mbet një person i cili ka qenë duke bajt mobilje. Ne i kemi edhe kamerat e sigurisë”, shtuan tutje nga BSG.
Ndërsa, për problemin e ndriçimit, përgjegjësi i BSG-së tha se është problemi teknik në përdhesë, i cili sipas tij do të rregullohet gjatë fillimit të javës.