Gjakova ka kujtuar 112 fëmijët e vrarë e të masakruar nga forcat serbe në këtë komunë gjatë luftës së fundit. Kjo është bërë përmes një ekspozite ku janë vendosur fotografitë me të dhënat e fëmijëve të vrarë. Moshat e këtyre fëmijëve që disa ranë martirë e disa dëshmorë janë nga tre muaj e deri 18-vjeç.
Përpos martirëve, në këtë ekspozitë janë paraqitur edhe dëshmorë që edhe pse në moshë të mitur, ishin detyruar nga ngjarjet e kohës që t’i bashkoheshin radhëve të UÇK-së për të luftuar për lirinë e vendit.
Ekspozita me titullin “112 dhimbje dhe krenari” është hapur me idenë e Shoqatës Krimet e Luftës Gjakova ’98-’99 dhe do të qëndrojë e hapur për vizitorë deri nesër në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë.
Shkëndije Hoda nga Shoqata Krimet e Luftës Gjakova ‘98-‘99 deklaroi se krahas shumë të vrarëve, masakruarve dhe të dhunuarve, forcat serbe kanë vrarë edhe 112 fëmijë në komunën e Gjakovës.
Hoda thotë se këto fotografi kanë arritur t’i sigurojnë nga familjarët e tyre.
“Këtu janë 112 fotografi, të gjithë janë të mitur dhe të gjithë janë nga komuna e Gjakovës nga mosha tremuajshe dhe kemi ende pa i mbush 18 vjeç. Kemi martirë por këtu i kemi edhe dëshmorë që nga dhuna e ushtruar mbi popullin shqiptar janë detyruar që fëmijët të kapin pushkën dhe të mbrojnë atdheun… Nga (viti) ‘99 kemi mbledhur dëshmi për të vrarët dhe gjithçka që ka ndodhur në komunën e Gjakovës dhe kemi arritur t’i marrim të dhënat e fëmijëve disa na i kanë dhënë familjarët disa i kemi gjetur vetë…Ekspozita do jetë e hapur tri ditë”, theksoi Hoda.
Sipas Hodës, arsyeja e hapjes së kësaj ekspozite është kundërshtimi i qasjes së padrejtë të Gjykatës Speciale karshi ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Hoda theksoi se përmes këtyre ekspozitave, si kjo e fotografive të fëmijëve të vrarë nga okupatori serb, po i tregojnë opinionit evropian se krimi ka një emër dhe vend dhe ajo është Serbia.
“Arsyeja e vetme që ne e hapëm këtë ekspozitë ndoshta kohë pa kohë ka qenë padrejtësitë që po u ndodhin familjarëve të të vrarëve, zhdukurve, persekutuarit dhe të gjitha kategoritë tjera nga Gjykata Speciale. Nuk është që kjo padrejtësi po u ndodh vetëm çlirimtarëve por po iu ndodh edhe familjeve të cilat i përmenda. Andaj, kjo është një nismë përmes të cilës protestojmë ndërmjet rrënjëve të lirisë që janë vetë fëmijët. Është nismë e protestës duke parë ecurinë e Gjykatës Speciale se si do jenë tutje, ne kemi plane të tjera se si të protestojmë që t’i tregojmë Gjykatës Speciale se këtu është kryer krimi, ne e kemi mbrojtur vendin tonë…Neve kriminelet na shëtisin në Kosovë veçanërisht në Gjakovë. Kemi dërguar padi të shumta, do vazhdojmë të dërgojmë prapë padi dhe presim rezultate shpejt… Opinionit evropian duhet t’i tregojmë se krimi ka një emër dhe ka një vend që është Serbia”, tha Hoda.
Hoda, e cila është edhe veterane e UÇK-së, Gjykatën Speciale e konsideron raciste dhe të padrejtë. Ajo thotë se kjo gjykatë krimet që i ka bërë Serbia po mundohet t’i vërë mbi supet e çlirimtarëve të Kosovës që mbrojtën atdheun dhe popullin e vetë.
“Gjykata Speciale po punon njëanshëm, faktikisht është gjykatë raciste, nuk po i gjykon krimet. Çlirimtarët nuk kanë qenë kriminelë, kanë mbrojtur atdheun e vetë, kanë mbrojtur popullatën e vetë dhe gjykata padrejtësisht po i arreston dhe padrejtësisht me dëshmi të rrejshme po mundohet mbi supet e tyre t’i ngarkojë krimet që i ka bërë Serbia”, u shpreh ish-luftëtarja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ekspozita “112 dhimbje dhe krenari” u mbështet nga Drejtoria e Kulturës dhe Sportit në komunën e Gjakovës /Gazeta Sinjali/