image Gërvalla: Me Vjosa Osmanin, LDK ofron alternativë

Kosovë

Reagim/ Gërvalla: Me Vjosa Osmanin, LDK ofron alternativë

news image

Aktivistja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila e ka drejtuar degën e LDK-së në Gjermani, Donika Gërvalla, ka reaguar pas nominimit të Vjosa Osmanit për kandidate të LDK-së për kryeministre të vendit.

Në një shkrim në profilin e saj në FB, vajza e Jusuf Gërvallës thotë se një vendim i tillë nuk ka qenë aspak i lehtë, marrë parasysh, siç thotë ajo rrymat e brendshme në LDK.

Postimi i plote i Gërvallës:

Përgëzoj Lidhjen Demokratike të Kosovës për vendimin e sotëm për të shkuar në zgjedhjet e 6-tetorit me znj. Vjosa Osmani si bartëse të listës dhe kandidate për kryeministre. Duke i njohur rrymat dhe dallgët brenda LDK-së jam e ndërgjegjshme që një vendim i tillë nuk ka qenë krejt e lehtë të merret. Aq më me peshë është ky vendim i sotëm kur gjithkush e di që është vendim që ka mbështjetjen e anëtarësisë së gjerë të LDK-së si dhe të simpatizantëve të saj.

Me kandidimin e znj. Osmani, për herë të parë në historinë e Kosovës për postin e kryetarit të shtetit kandidon një femër dinjitoze, një nënë e përkushtuar, e arsimuar, e guximshme intelektualisht, e pjekur në gjykimet e saj, këmbëngulëse në qëndrimet e saj për të mos e pranuar të keqen, e papërkulur para presioneve dhe furtunave të ndryshme, të orkestruara jo vetëm nga kundërshtarët e deklaruar politik.

Me znj. Osmani LDK-ja ofron një alternativë shumë serioze në zgjedhjet e 6-tetorit. Për herë të parë pas dekadash, votuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës votën e tij mund ta japë pa u frikësuar që kjo votë i tjetërsohet apo përdoret kundër vullnetit të tij. Me znj. Osmani votuesi i LDK-së votën e tij për herë të parë pas dekadash e jep pa u frikësuar që po voton koalicione me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Këtë znj. Osmani e ka dëshmuar më shumë se një herë, madje edhe pothuajse e vetme dhe duke notuar kundër rrymës.

Qytetari i Kosovës meriton që me votën e tij të zgjedhë programe politike dhe personalitete me integritet dhe jo të keqen më të vogël. Sot Lidhja Demokratike e Kosovës, me kandidimin e znj. Osmani, bëri hapin e parë në këtë drejtim dhe për këtë meriton respekt.