Një zyrtar i lartë i gjigantit rus të energjisë, Gazprom, tha se kompania nuk do të rinisë dërgesat e gazit përmes tubacionit Rrjedha Veriore 1 derisa kompania partnere gjermane të mos riparojë një pajisje që pretendoi se është me defekt.
Ky njoftim rrit shqetësime në Evropë rreth zvogëlimit të sasisë së energjisë, teksa dimri po afrohet.
Kompania partnere gjermane, Siemens Energy, tha se nuk është ngarkuar që të kryejë ndonjë riparim. Kjo kompani tha se riparimi që pretendon Gazpromi se duhet të kryhet është diçka që rregullohet me lehtësi dhe një gjë e tillë, normalisht, nuk do të duhej të çonte deri te pezullimi i dërgesave me gaz.
Gjatë një ngjarjeje ekonomike në Vladivostok më 6 shtator, zëvendësdrejtori i Gazpromit, Vitaly Markelov, tha se rinisja e dërgesave të gazit nuk mund të ndodhë “para se ata të riparojnë pajisjen”.
Gazsjellësi Rrjedha Veriore 1 është tubacioni më i madh i gazit që sjellë gaz nga Rusia në Evropë me një kapacitet vjetor prej 55 miliardë metrash kubik. Ky tubacion kalon nga Viborgu – në afërsi të kufirit midis Rusisë dhe Finlandës – për në Lubmin, në verilindje të Gjermanisë.
Liderët perëndimorë e kanë akuzuar Moskën se po përdor si armë furnizimet e saj me energji. Megjithatë, këto shtete përballen me sfida të mëdha për të gjetur burime alternative dhe metoda të tjera për prodhimin e energjisë.
/GazetaSinjali/