image Gazetarët kërkojnë të jenë prioritet në vaksinimin antiCOVID

Shëndetësi

Gazetarët kërkojnë të jenë prioritet në vaksinimin antiCOVID

news image

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka paralajmëruar se do t’i drejtohet institucioneve kompetente, në mënyrë që gazetarët në Kosovë, të trajtohen me prioritet kur është në pyetje imunizimi i tyre kundër koronavirusit.

Për dallim nga Kosova, disa shtete të rajonit veç kanë nisur që të imunizojnë punonjësit e mediave.

Kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli tha për Radion Evropa e Lirë, se janë në kontakt me autoritetet përkatëse dhe siç tha ajo, shpejt do të bëjnë kërkesë që edhe gazetarët të futen në listën me prioritet për vaksinim.

“Që nga kjo javë, e ndoshta edhe nga sot, do ta drejtojmë kërkesën te Ministria e Shëndetësisë që edhe kolegët tanë të jenë në listën prioritare duke pasur parasysh që ata kanë qenë në vijën e parë të frontit sa i përket luftimit të kësaj pandemie. Dhe do të shohim se a do ta kemi mirëkuptimin që edhe kolegët tanë të jenë në listën prioritare”, tha Begolli.

Begolli tha se ka qenë edhe rekomandim i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarët që gazetarët të vaksinohen të parët duke pasur parasysh me rrezikun që përballen ata. Por, deri më tani, shton Begolli, vetë gazetarët nuk kanë pasur ndonjë kërkesë që të vaksinohen kundër koronavirusit.

Mirëpo, kjo nuk është arsye që ne mos të bëjmë një kërkesë të tillë tek institucionet përkatëse, për arsye se e dimë me saktësi se çfarë pune bëjnë kolegët tanë dhe sa janë të rrezikuar në terren nga kjo pandemi”, tha ajo.

Nga ana tjetër, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha për Radion Evropa e Lirë se deri tash nuk ka pasur ndonjë ndryshim në planin e vaksinimit, por sipas tij, gazetarët duhet të jenë ndër të parët që duhet të vaksinohen.

“Ne nuk kemi bërë asnjë ndërhyrje në planin aktual të vaksinimit. Në momentin e parë, unë e marr përsipër që të flas me të gjithë akterët që edhe ju si kategori e rrezikuar, normalisht shumë e rrezikuar, që të jeni në këtë plan. Mirëpo, për momentin nuk mund të ju them asgjë pa ardhur kontingjenti tjetër i vaksinave dhe pa biseduar me komitetin për vaksinim që e kanë bërë planin”, tha ministri Vitia.

Bujar Vitija, gazetar në gazetën “Shneta”, i cili përcjell kryesisht sektorin e shëndetësisë, konsideron se në grupin e më të rrezikuarve nga infeksioni duhet të jenë edhe gazetarët, për shkak të punës së tyre në raportimin për pandeminë.

“Gazetarët kanë qenë në front gjatë gjithë kohës dhe kësisoj iu kanë mundësuar institucioneve dhe qeverisë që të menaxhojnë më lehtë pandeminë, duke sjell informata për qytetarët, duke i vetëdijesuar ata për rrezikun nga infeksioni dhe mënyrat se si duhet të mbrohen nga koronavirusi. Mendoj se Ministria e Shëndetësisë do të duhej të kishte parasysh punën e gazetarëve”, thekson Vitija.

Vitija thotë se AGK-ja duhet të ndërmarrë nisma që sa më parë që të mundësohet vaksinimi i gazetarëve.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës do të duhej të kishte një nismë, një kërkesë zyrtare për Ministrinë e Shëndetësisë, që t’ju mundësohet gazetarëve të Kosovës të kenë qasje në vaksinimin”, shtoi Vitija.

Shtetet e rajonit, megjithatë janë duke i vaksinuar gazetarët.

Shqipëria ka filluar vaksinimin e gazetarëve të terrenit më 2 prill, e një ditë më vonë ka nisur vaksinimin edhe të punonjësve të policisë. Në këtë shtet, vaksinimi kundër COVID-19 ka nisur më 11 janar.

Në Maqedoninë e Veriut, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të mediave, do të vaksinohen në kuadër të fazës së dytë të vaksinimit masiv, ku përfshihen disa kategori të punonjësve që konsiderohen si vende me rrezik të lartë. Për këto kategori janë ndarë 20 mijë doza të vaksinës Spuntik V. Nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut, kanë të bërë ditur se deri më tani për t’u vaksinuar janë paraqitur mbi 780 punonjës të mediave dhe 635 prej tyre plotësojnë kushtet për vaksinim. Kushtet për vaksinim parashohin që këta punonjës të jenë të moshës mbi 40 vjeç si dhe ata me sëmundje shoqëruese. Paraprakisht, në Serbi janë vaksinuar rreth 100 gazetarë, nën organizim të Asociacionit Maqedonas të Gazetarëve.

Po ashtu, edhe në Serbi gazetarët janë duke u trajtuar me prioritet. Në këtë shtet, gazetarët janë vaksinuar menjëherë pas punëtorëve shëndetësorë, bashkë me ushtrinë dhe policinë. Gazetarët janë futur në grupet me prioritet për imunizim edhe në Mal të Zi, ku tashmë është duke u bërë vaksinimi i tyre.

Institucionet kompetente shëndetësore në Kosovë tash më kanë hartuar Planin shtetëror të vaksinimit kundër COVID -19.

Në bazë të këtij plani, Komiteti për Vaksinim ka paraparë realizimin e planit në tri faza, ku nuk parashihen gazetarët.

Faza e parë parasheh vaksinimin e grupeve me rrezik të lartë që përbëhet nga punëtorët shëndetësorë, banorët e shtëpive të kujdesit për të moshuarit, grupmoshat 80+ dhe një pjesë e popullsisë me sëmundje kronike.

Faza e dytë do të përfshijë grupmoshat mes 65-79 vjeç, popullsinë e mbetur me sëmundje kronike, mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë të përfshira në menaxhimin e pandemisë COVID-19, që përbëjnë 306.000 ose 17 për qind të popullsisë së përgjithshme.

Ndërsa në fazën e fundit, në plan parashihet të bëhet vaksinimi i 50 për qind të popullsisë në mënyrë që të arrijë 900 mijë persona ose 70 për qind të mbulimit të përgjithshëm të popullsisë me vaksinën COVID-19.

Në Kosovë deri tash ka arritur kontingjenti i parë i vaksinave me 24.000 doza të kompanisë AstraZeneca. Deri të martën, më 6 prill, janë vaksinuar rreth 3.000 punonjës shëndetësorë, kurse më 8 prill është paralajmëruar se do të nisë vaksinimi i qytetarëve mbi 80 vjeç.

Në Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës thanë se po punohet që të sigurohen edhe vaksina të tjera./Gazeta Sinjali/