Kryetarja e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Personave të Dhunuar në luftë, Minire Begaj-Balaj ka njoftuar se 1 mijë e 338 persona kanë aplikuar për të marrë statusin e viktimës së dhunës seksuale, shkruan Gazeta Sinjali.
Begaj-Balaj tregoi se janë 894 persona që u është njohur statusi i viktimës së dhunës seksuale, ku shumica janë gra ndërsa janë 31 burra që kanë fituar këtë status.
“Ne tashmë në shkurt të vitit 2021 bëjmë tri vite që kemi filluar zyrtarisht si komision. Deri më tani i kemi 1338 raste që kanë aplikuar në komision në nivel të Kosovës. Atyre që ua kemi njohur statusin janë 894 ku shumica janë gra, derisa kemi edhe 31 burra që ua kemi njohur statusin e viktimës së dhunës seksuale”, tha ajo në Klan Kosova.
Ish-presidentja Atifete Jahjaga kishte propozuar që të rishikohet afati prej pesë vjetësh për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.
Begaj-Balaj u shpreh se janë duke punuar bazuar në afatin ligjor aktual dhe mbetet të shihet nëse ky afat do të hiqet ose ndryshohet.
“Sipas ligjit në fuqi, afati ligjor për ata që duan të aplikojnë dhe ta fitojnë statusin e viktimës së dhunës seksuale është pesë vjet. Ky është afat ligjor prej momentit kur ne kemi nisur punën zyrtarisht si komision. Ne si komision jemi një institucion administrativ dhe ne punojmë bazuar në ligj. I mbetet kohës që të shohim në të ardhmen, por ne aktualisht kemi një afat dhe duhet të zbatojmë rregullat që janë në fuqi”, tha Begaj-Balaj./Gazeta Sinjali/