image Gati 200 mijë euro do të shpenzohen për zgjedhjet në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut

Politikë

Gati 200 mijë euro do të shpenzohen për zgjedhjet në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut

news image

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur mbledhjen e radhës të udhëhequr nga kryetarja, Valdete Daka. Gjatë kësaj mbledhje, KQZ-ja mori vendim për caktimin e afateve të aktiviteteve për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës në Mitrovicën e Veriut.

Sipas njoftimit të KQZ-së, u miratua plani operacional për organizimin e zgjedhjeve në komunën e Mitrovicës së Veriut, ndërsa anëtarët ranë dakord që në mbledhjen e radhës të vendoset lidhur me organizimin e zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Podujevës, të cilat ishin shtyrë vetëm një ditë para ditës së zgjedhjeve.

“Në këtë mbledhje, KQZ-ja mori vendim për miratimin e planit të buxhetit për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe buxhetit shtesë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Podujevës. Sipas vendimit të KQZ-së buxheti i planifikuar është në shumën 193 mijë e 181 euro. Në kuadër të këtij buxheti janë paraparë dy raundet, ashtu siç kërkohet me ligj. Pjesa tjetër e shpenzimeve për organizimin e zgjedhjeve në komunën e Podujevës do të mbulohen nga mjetet e alokuara gjatë muajit shkurt të këtij viti për këto zgjedhje”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Ndërkaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për zgjatjen e orarit të punës për anëtarët dhe stafin, me qëllim të përmbushjes në kohë të të gjitha detyrimeve ligjore për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në këto dy komuna. /Gazeta Sinjali/