Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka deklaruar se ata kanë kërkuar që në seancën e radhës të mbahet debat parlamentar për marrëveshjen e Washingtonit, raporton Gazeta Sinjali.
Ai pret që në këtë debat të jetë i pranishëm edhe kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti.
“Kemi kërkuar debat parlamentar për marrëveshjen. Marrëveshja e Washingtonit është marrëveshje që është në favor të Kosovës dhe në interes të qytetarëve të Kosovës. Kjo marrëveshje është prioritet i saj dhe duhet të respektohet. E kemi të paqartë se cilat janë qëndrime dhe veprimet ndaj kësaj marrëveshje. Presim që prezent të jetë Albin Kurti që të diskutohen për qëndrimet e qeverisë ”, ka thënë Gashi.
I pyetur për vendimin për shkarkimin e Bordit të RTK-së dhe shkarkimet tjera, Gashi, ka thënë se janë vendime dhe veprime të gabuara në kundërshtim me ligjin dhe antikushtetuese.
“Janë të paprecedentë dhe të rrezikshme”, ka shtuar ai. /Gazeta Sinjali/