image Administrata e Biden: Kurti detyrohet ta respektojë Marrëveshjen e Washingtonit

Politikë

Administrata e Biden: Kurti detyrohet ta respektojë Marrëveshjen e Washingtonit

news image

Nga administrata amerikane kanë thënë se Marrëveshja e Washingtonit është një zotim që detyrimisht duhet të respektohet, pasi administrata Biden e ka studiuar me kujdes të tërën.

Për marrëveshjen e firmosur në Shtëpinë e Bardhë nga Avdullah Hoti e Aleksandar Vuçiq, kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, gjithmonë shprehi rezervat e tij.

Kjo marrëveshje, siç shkruante, Kurti vetëm pak ditë pas nënshkrimit, do duhej të shikohej nga poshtë, meqë siç vlerësonte ai, e vetmja pikë e vlefshme është vendosja e raporteve dhe njohja reciproke me Izraelin.

Madje, Kurti thoshte se “nëse ai do ta rimarrë sërish udhëheqjen e qeverisë, nuk do të jetë i obliguar ta zbatojë marrëveshjen e Washingtonit”.

E këtë qëndrim ndaj Marrëveshjes së Washingtonit, po vazhdon ta mbajë edhe tani kur i njëjti po udhëheq me ekzekutivin.

Nga Qeveria Kurti vlerësojnë se Marrëveshja e Washingtonit nuk ka vlerë juridike.

Kjo deklaratë e zëdhënësit të Qeverisë nxiti reagime të shumta. Opozita e konsideroi veprim të rrezikshëm që mund të armiqësojë marrëdhëniet mes Kosovës dhe ShBA-së.

Ndërkohë, Marrëveshjen e Washingtonit dhe çdo marrëveshje tjetër të nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë, Administrata Biden kërkon nga palët që ta zbatojnë.

Madje në një përgjigje për T7, ata thonë se kjo marrëveshje është një zotim që detyrimisht duhet të respektohet, pasi Administrata Biden e ka studiuar me kujdes të tërën.

“Ne besojmë se vendet e kanë detyrim të respektojnë marrëveshjet dhe zotimet që janë bërë më herët. Për shembull, administrata e Biden e studioi me kujdes marrëveshjen e Washingtonit që z. Vuçiq dhe z.Hoti e arritën në Shtëpinë e Bardhë dhe erdhën në përfundimin se këto janë gjëra që duam t’i shohim te palët, të vazhdojnë të ecin përpara – të rrisin tregtinë, të rrisin investimet, të rritet përpjekja për të luftuar terrorizmin etj. ”

Marrëveshja e nënshkruar më 4 shtator të 2020-ës mes kryeministrit të atëhershëm të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, përmban 16 pika.

E njëjta u nënshkrua në prani të ish-presidentit amerikan, Donald Trump. /Gazeta Sinjali/