image Kryeministri Kurti: Mund të jetojmë edhe pa njohjen e Serbisë, s’paguajmë asgjë për të

Politikë

Kryeministri Kurti: Mund të jetojmë edhe pa njohjen e Serbisë, s’paguajmë asgjë për të

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se shteti i Kosovës mund të vazhdojë së funksionuari edhe nëse nuk njihet nga Serbia dhe se qeveria e udhëhequr nga ai nuk pranon të paguajë as me territor e as me funksionalitet të shtetit, këtë njohje.

Megjithatë, Kurti ka thënë se do të ishte mirë që Serbia ta njohë Pavarësinë e Kosovës.

“Sigurisht se do të preferoja që Serbia ta njohë Kosovën, por nëse nuk e bën këtë, duhet të jetojmë pa atë njohje. Nuk jam duke planifikuar ta zëvendësoj varësinë e kaluar të Kosovës nga Serbia me varësinë e re të Kosovës nga njohja e Serbisë për shtetin tonë të pavarur. Për 13 vjet deri tash, kemi jetuar pa njohjen nga Serbia.

“Do të ishte mirë të na njohë, por nuk do të paguajmë për këtë, as me territor e as me funksionalitet të shtetit tonë. Kosova është e pavarur. E kanë njohur 26 nga 30 shtetet e NATO-s, 22 nga 27 shtete anëtare të BE-së. Rusia e Kina jo, por ShBA-ja, Franca e Britania e Madhe në Këshill të Sigurimit po. Duhet të ecim përpara”, ka thënë ai.

Në një intervistë për “europeanwesternbalkans”, i pari i ekzekutivit foli edhe për refuzimin e Kosovës që t’i bashkohet iniciativës së Mini-Schengenit.

Kurti e vlerësoi si të palogjikshme vazhdimin e kësaj iniciative, duke përmendur Tregun e Përbashkët Rajonal të dalë nga Procesi i Berlinit, si dhe faktin që Serbia nuk e ka njohur ende Kosovën.

Ndërkaq, sa i përket Marrëveshjes së Washingtonit të nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, Kurti ka vlerësuar pikën e fundit të saj, që ishte njohja reciproke me Izraelin.

Mirëpo, ai ka kritikuar moratoriumin që Kosova të mos aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, si dhe të ndalë fushatën për njohje.

Kryeministri nuk la pa lavdëruar edhe qeverinë e tij, për të cilin tha se është storie suksesi, e cila po e forcon shtetin e Kosovës./Gazeta Sinjali/