image Gashi: Involvimi i Gjermanisë dhe Francës në dialog, mund të shtyjë drejt marrëveshjes përfundimtare

Politikë

Gashi: Involvimi i Gjermanisë dhe Francës në dialog, mund të shtyjë drejt marrëveshjes përfundimtare

news image

Rikthimi i vëmendjes së shteteve më të fuqishme në Bashkimin Evropian karshi dialogut Kosovë-Serbi, po konsiderohen si shtytëse të përfundimit të marrëveshjes përfundimtare.

Këtë e ka bërë të ditur, profesori universitar, Ibrahim Gashi, i cili vlerëson se zhvillimet në Ukrainë, kërkojnë të përmbyllet ky proces.

Krahas kësaj, Gashi thotë se Qeveria e Kosovës është më aktive në dialog, për të cilën thotë se i ka munguar më herët.

“Në përgjithësi ka një përshtypje se dialogu po dinamizohet, edhe ndërmjetësi Lajçak por edhe dy shtetet më të fuqishme të Be-së Gjermania dhe Franca, po duken më të involvuara për ta mbështetur këtë proces. Kjo lë përshtypje se jemi afër një marrëveshje përfundimtare, sado që është vështirë e besueshme, por megjithatë ka një rikthim të vëmendjes te dialog sesa ka qenë ndoshta edhe për shkak të zhvillimeve siç ishte lufta Ukrainë-Rusi, mbase për një kohë ka pasur ngecje, mirë është që Qeveria tani është më aktive, e ka ndër prioritetet kryesore dhe po mban qëndrime të duhura, dhe ne si vëzhgues të jashtëm duke e pasur mungesë informacione më burimore, mund të konstatojmë se ka të ngjarë se po lëvizet drejt një marrëveshje përfundimtare”, ka deklaruar për EO.

Duke folur për dialogun me Serbinë, Gashi thotë se Kosova duhet të angazhohet më shumë në diplomaci, e sidomos me vizita zyrtare. 

“Kosova duhet të jetë proaktive, dialogu është alternativa kryesore e Kosovës për të shkuar drejt njohjes dhe përfundimit të legjitimimit ndërkombëtar të statusit të saj. Kosova sado që është shtet i vogël, ka deficite ekonomike dhe duhet ta ketë prioritet edhe më tutje politikën e jashtme, pra interaktivitetin, pra bisedimet me secilën organizatë, me një fjalë duhet të jetë më aktive në lobim, duhet të ketë diplomaci më shumë proaktive, duhet të ketë më shumë vizita e më shumë pritje të zyrtarëve të lartë këtu. Kosova duhet të dalë nga një lloj izolimi që e ka pasur për një kohë”, u shpreh Gashi.

E duke folur për luftën në Ukrainë, profesori universitar vlerëson se Kosova nuk ka mundur ta shfrytëzojë ndërkombëtarisht mos sanksionimin e Serbisë ndaj Rusisë.

Ai thotë se sanksionet që i ka vendosur Kosova, janë më të vogla se të shteteve tjera.

“Kosova ka ndjekur një kurs racional në raport me zhvillimet në Ukrainë, dhe sigurisht që kjo i ka dhënë njëfarë impulsi ndërkombëtarëve për Kosovën dhe njëfarë mbështetje, por nuk është se ka mundur shumë ta shfrytëzojë, për faktin se vëmendja e fuqive të mëdha ka qenë shumë e përqendruar atje (Ukrainë), dhe Kosova nuk ka pasur ndonjë kontributi të drejtpërdrejtë në atë luftë, përveç një deklarimi që i vënë sanksione, por efekti i atyre sanksioneve që i vënë Kosova, Rusisë, janë pakrahasimisht më të vogla se secilit shtet të Evropës”, ka shtuar ai.

/GazetaSinjali/