Sezair Belegu mbeti i plagosur me tre plumba sot, rreth orës 18:00 në “Çarshinë e Gjatë”, në Pejë. Për shkak të plagëve që mori në bark e në shpinë ai u dërgua për trajtim mjekësor në Spitalin e Pejës, për t’u transferuar më pas në QKUK, raporton Gazeta Sinjali.
Mjeku kujdestar, Avdush Bajgora, tha për Sinjalin se pasi që i janë bërë të gjitha ekzaminimet e nevojshme mjekësore, Sezairi është futur në sallën e operacionit, ku do t’i nënshtrohet një operimi.
I dyshuar për plagosjen e tij është Bashkim Racaj, punëtor i një qebaptoreje përballë qendrës zejtare.
Sinjali raportoi pak më parë se Bashkimi është vetëdorëzuar në Stacionin Policor në Pejë, ku kishte shkuar me taksi, me armë zjarri në dorë.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka bërë të ditur për Sinjalin se i dyshuari, me vendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/