image Foda vlerëson lart Asllanin: Shënon, asiston dhe punon gjithmonë për skuadrën

Futboll

Foda vlerëson lart Asllanin: Shënon, asiston dhe punon gjithmonë për skuadrën

news image

Sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani, mund të jetë shumë pranë një transferimi të madh brenda Bundesligës, me Leipzigun që po raportohet si destinacioni i tij i ardhshëm.

Asllani ka munguar në dy ndeshjet e para miqësore të Hoffenheimit gjatë fazës përgatitore. Ai nuk ishte pjesë e skuadrës ndaj SGV Heilbronn-Freibergut dhe mungoi edhe në përballjen kundër Greuther Fürthit.

Sipas mediave gjermane, përfshirë “Kicker”, Hoffenheimi nuk dëshiron të rrezikojë me aktivizimin e 23-vjeçarit, pasi negociatat për transferimin e tij te Leipzigu janë në një fazë të avancuar.

Klubi nga Leipzigu raportohet se mund të paguajë rreth 30 milionë euro për sulmuesin kosovar, i cili mund të bëhet një nga largimet më të rëndësishme të Hoffenheimit gjatë kësaj vere.

Për Asllanin më herët është raportuar interesim edhe nga Barcelona dhe Borussia Dortmundi, ndërsa cilësitë e tij janë vlerësuar lart edhe nga përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda.

“Fisniku ka cilësi të jashtëzakonshme në zonë. Teknikisht është shumë i aftë, përshtatet mirë në hapësira të ngushta, e ruan topin dhe ka ndjeshmëri të mirë për situatat e lojës. Ai shënon dhe asiston”, ka deklaruar Foda.

Përzgjedhësi i Kosovës ka vlerësuar gjithashtu angazhimin e Asllanit në fazën defensive dhe karakterin e tij si lojtar ekipor.

Asllani e përfundoi sezonin e fundit me 11 gola dhe 10 asistime në 35 paraqitje në Bundesligë dhe Kupën e Gjermanisë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/