Në listën e kandidatëve për deputetë në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), nuk figuron ish- deputetja më e vjetër, Flora Brovina. Edhe pse shumë gjatë në skenën politike, në maj të këtij viti, Brovina u përfshi në një skandal me publikimin e një fotografie që pretendonte se ishte skenë e përdhunimit të një gruaje kosovare gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në një bisedë telefonike për Gazetën Sinjali, Flora Brovina flet për herë të parë se a ishte kjo fotografi arsyeja e mospërfshirjes së saj në listën e deputetëve të PDK-së.
Flora Brovina ka thyer rekord në Kuvendin e Kosovës sa i përket jetëgjatësisë së saj si deputete, ajo është ish-deputete e gjashtë legjislaturave radhazi. Në legjislaturën e shtatë e Kuvendit që pritet të formohet pas zgjedhjeve të 6 tetorit Brovina nuk do të jetë deputete.
E pyetur se pse nuk është në listën e kandidatëve për deputetë në PDK, Flora Brovina tha:
“Po janë marrë të rinjët, kemi pas nevojë me rinovu listën. Nuk është ndonjë arsye e veçantë, është marrëveshje e ndërsjellë”, tha Brovina për Gazetën Sinjali.
Fotografia që me vite të tëra qarkulloi në sajte pornorgrafike, të cilën e prezantoi si skenë të përdhunimit të një gruaje kosovare në Kuvendin e Kosovës, sipas Brovinës nuk është arsyeja pse nuk do të jetë deputete në legjislaturën e re.
“Nuk mendoj që ka ndikuar fotografia sepse ajo fotografi sado që ka qenë gabim është edhe e vërtetë. Në listën e shumë historive që kam, të tilla janë historitë”, shprehet Brovina.
Brovina thotë se nuk ndihet e dëshpëruar pse nuk do të jetë këtë herë deputete.
“Unë kam qenë 6 herë deputete, nuk kam pse të dëshpërohem”, tha Brovina.
Në fund të bisedës, Brovina thotë se do të vazhdojë ta jap kontributin për Kosovën.
“Unë prap besoj që do të jap kontribut për Kosovën derisa të jem me shëndet të mirë edhe mund t’i kontriboj, por megjithatë edhe 2-3 javë i mbushi 70 vjeç”, përfundoi ajo.
Më 16 maj 2019, gjatë kohës sa Kuvendi i Kosovës po mbante seancë plenare për votimin e Rezolutës për gjenocidin serb gjatë luftës në Kosovë, tani ish-deputetja Flora Brovina, publikoi para gazetarëve një fotografi tronditëse të një gruaje që pretendonte se po e përdhunonin serbët gjatë luftës. Për publikimin e kësaj fotografie Brovina kishte thënë se e ka marrë lejen nga vajza dhe familja e viktimës.
Pak orë më vonë, u zbulua se fotografia e njejtë u gjet edhe në disa sajte të pornografike. Megjithatë, Brovina këmbëngulte se ishte ngjarje e luftës së fundit në Kosovë.
Për këtë ajo u mor në pyetje edhe nga prokurorët e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Sipas Prokurorisë, pas ekspertizës është vërtetuar se fotografia e paraqitur nga Brovina ishte nxjerrë nga interneti dhe nuk ka të bëjë me asnjë rast të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
PDK-ja ishte distancuar për paraqitjen e Brovinës në Kuvend dhe në media, duke thënë se është një veprim individual i saj./Gazeta Sinjali/