Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi, para dy ditësh ka shkarkuar nga detyra e sekretarit të ministrisë, Izedin Bytyqin.
Mirëpo, ky vendim është vlerësuar i kundërligjshëm nga Bytyqi, i cili ka refuzuar ta lirojë zyrën, shkruan Gazeta Sinjali.
“Është vendim i kundërligjshëm, e kam njoftu kryeministrin dhe Këshillin Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë. Aty u instalu një sekretar kishe, që s’ka të drejtë me thënë sekretar hiç. Ky nuk është drejtor departamenti, pra Zymer Avdullahu”, tha ai para mediave.
Bytyqi thotë se ai e ka njoftuar policinë, në mënyrë që t’i lirohet zyra e tij.
“I kam thënë policisë me i marrë veprimet me ma liru zyrën…Unë jam sekretar i ligjshëm, të tjerat janë të paligjshme. Këtë e rrëzon edhe studenti i vitit të parë juridik, e le më prokurori. Ai ska pranu me ma liru vendin, unë e kam thirrë policinë, e ai e thirrke dikë ia bojkë çomna Njësinë, si me konë komandant i policisë”, tha ai më tej ai.
Bytyqi thotë se ka pasur presion nga grupet e ndryshme të interesit, të cilat thotë se e kanë shkatërruar këtë ministri.
“Jam ballafaqu me presione të ndryshme të grupit të interesit që e kanë shkatërruar Ministrinë e Infrastrukturës”, ka pohuar Bytyqi, duke shtuar se ai nuk do të dorëzohet./Gazeta Sinjali/