Sot gjatë pasdites, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar opinionin se e ka pranuar dorëheqjen nga pozita të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, raporton Gazeta Sinjali.
Lidhur me këtë rast, Sinjali ka kontaktuar me kryetarin e Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha, i cili ka thënë se akti moral i Mehmetit nuk ndihmon dhe se ky rast e tregon nevojën për bashkëpunimin e shumë institucioneve.
“E vlerësoj si akt moral, por nuk ndihmon asgjë kjo dorëheqje. Drejtori i Policisë duhet të zbatoj ligjin, jo të dorëzohet. Rasti në fjalë është ma kompleks dhe kërkon bashkëpunim të shumë institucioneve”, tha Berisha.
Për më tepër, Berisha ka kërkuar që dorëheqjet të mos ndalen dhe pas Samedin Mehmetit, radhën e ka ministri Sveçla.
“Nëse kësaj dorëheqje i bashkohet edhe ministri Sveçla, dikush nga prokuroria dhe disa gjyqtarë, atëherë do të jepnin një sinjal se është koha për të ndryshuar diçka”, ka thënë për Sinjalin, deputeti Bekë Berisha.