Ligji i ish-it godet përsëri dhe sigurisht që për PSG-në ai gol i mbrëmshëm dhemb edhe më shumë, ndërsa dërgon në ekstazë Kingsley Comanin dhe Bayernin. Me sa duket, duhej të ishte gjithashtu një francez që do të mundte skuadrën më të fortë franceze, madje siç e kishte paralajmëruar vetë 24-vjeçari përpara ndeshjes: “E di unë sesi mundet PSG-ja, pasi ia njoh mentalitetin dhe pikat e tyre të forta e të dobëta”.
U tha, u bë, sepse Coman, edhe pse shtatshkurtër, diti sesi të ngrihet në fluturim dhe të shtrinte në tapet Mbappen e Neymarin me shokë, duke ia dhuruar kështu Bayernit trofeun e gjashtë më të lavdishëm në Evropë dhe tripletën e dytë.
“Ndoshta mund të duket banale, por ky është një emocion që nuk mund të përshkruhet me fjalë, sepse gëzimi është në ato nivele si asnjëherë tjetër. Për mua ishte Championsi i parë, por ky trofe është me të vërtetë magjik. Ishte një finale madhështore, një ndeshje që do ta mbaj mend përjetë sepse kur e vendos me një gol tëndin, gjithçka është më e paharrueshme. Nuk e di se çfarë do të mund të kishim bërë nëse do t’i kishim pasur edhe tifozët përkrah, por padyshim që ky trofe është sidomos edhe për ata që nuk mund të ishin krah nesh. E merituam, por edhe vuajtëm, pasi PSG-ja bëri vërtet një finale të madhe. Si francez, e them me zemër se jam paksa i zhgënjyer për tifozët e Parisit, pasi edhe ata janë ende në zemrën time, por jam i lumtur sepse i dhashë skuadrës sime trofeun që të gjithë kërkonim”, tha Coman.
Ai tutje e ka komentuar edhe lojën e ish-klubit të tij, PSG-së.
“Ku gaboi PSG-ja? Në futboll vendosin detajet. Ata vendosën që të luanin me kundërsulm, provuan të na mbanin nën presion dhe të përfitonin nga gabimet tona. Por ne shënuam golin, pikërisht atë që e bëri diferencën në fushë dhe na dha këtë trofe madhështor të cilin e kërkonim me çdo kusht dhe çdo ditë e më shumë që kalonte besonim se do ta bënim tonin, duke parë edhe mënyrën sesi e mbyllëm kampionatin dhe sesi erdhëm deri në këtë finale. Tani meritojmë me gjithë shpirt të festojmë sepse kemi nevojë t’i shfryjmë emocionet e këtij suksesi”, u shpreh Kingsley Coman pas finales së mbrëmshme. /Sinjali Sportiv