Sot ka filluar vaksinimi kundër COVID-19 me vaksinën Astra Zeneca në Qendrën Rajonale të Telemjekësisë në Kukës, shkruan Gazeta Sinjali.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u bëri thirrje mjekëve nga Kosova që të shkojnë të vaksinohen në këtë qendër, për shkak se, sipas tij, kontrata e blerjes së vaksinës nuk lejon dhurimin e saj si donacion për Kosovë.
Njëri ndër mjekët kosovarë që shkoi për t’u vaksinuar sot në Kukës është gjinekologu, Blerim Feka.
Feka tha se në këtë qendër u prit shumë mirë dhe me këtë rast i ftoi edhe kolegët e tij që ta shfrytëzojnë këtë mundësi.
“Shumë lehtë dhe afër. Më pritën përzemërsisht dhe më bën vaksinën kundër Covid-19. Jam i lumtur. I ftoj të gjithë kolegët që të shfrytëzojnë mundësinë për t’u vaksinuar kundër Covid-19”, tha ai për Klan Kosovën.
Me këtë vaksinë këto ditë në Shqipëri ka filluar imunizimi i mësimdhënësve, ndërsa vetëm në Kukës janë vaksinuar mbi 40 të tillë.
Ata që morën vaksinën u siguruan nga përgjegjësit e vaksinimit se kjo dozë nga Skandinavia nuk ka efekt anësor trashjen e gjakut, siç u raportua në disa vende evropiane vendet e fundit./Gazeta Sinjali/