Helmimi masiv i qytetarëve në Deçan ka bërë që kjo komunë të shpallë gjendje emergjente. Shumë dyshime janë ngritur se cilët mund të jenë shkaktarët e helmimit të qytetarëve atje. Dyshimet zyrtare për shkakun e helmimit janë te një degë e furnizimit të ujësjellësit “Hidrodrini”.
Testimi i mostrave të ujit, të marra nga kjo komunë ka nisur, por që shkaku i helmimit nuk është përcaktuar ende. E për njërin nga shkaktarët e mundshëm të këtij helmimi ka folur për Gazetën Sinjali mikrobiologu kosovar nga Holanda, Amir Vila, i cili punon në Institutin e Ushqimit dhe Veterinës në Holandë.
Vila thotë se uji në Deçan ka mundësi të jetë ndodhur nga bakteria “Legionella bacterie” ( sëmundja Legionnaires). Legionella u zbulua pas një shpërthimi në 1976 kur ushtarët amerikanë shkuan në një kongres të Filadelfias të Legjionit Amerikan. Ata që ishin të prekur vuanin nga një lloj pneumonie që përfundimisht u bë e njohur si sëmundja Legioneloza.
Kjo baktere, sipas Vilës mund të shkaktojë pneumoni të rëndë, të njohur gjithashtu si sëmundja e Veterinareve dhe vjen në burimet e ujit gjatë temperaturave të larta.
“Infeksioni me bakteret Legionella shkaktohet përmes mushkërive dhe mund të transmetohet duke thithur bakteret në pika shumë të vogla uji (aerosol) të përhapura në ajër. “Legionella bacterie” nuk është ngjitëse prej njeriut te njeriu apo në shtazë. Bakteria kultivohet apo shumohet nëpër ujërat e ndenjur te gypat e ujit në një temperaturë të lartë”, shton Vila.
Vila ka shtuar se “kjo baktere gjendet në ujë dhe tokë, si dhe shpërndahet përmes pikave shumë të vogla të ujit (aerosols). Kjo baktere shumohet atëherë kur në gypat e ujit, nuk lëvizë uji për një kohe të gjatë, ndërsa temperatura në gypa është 20-50 gradë. Kjo ndodh po ashtu edhe nëpër puseta, në gypat e ujit të shkollave që nuk përdoren për një kohë të gjatë si nëpër pushimet verore, në sauna/jaccuzi, në sisteme të ventilimit të ajrit, bie fjala nëpër hotele kur dhoma e hotelit nuk është përdorur për një kohë të gjatë, apo sallat e sportit ku sistemi i ventilimit të ajrit nuk është optimal apo dushet që për një kohë të gjatë nuk përdoren.”
Kjo sëmundje Vila thotë infeksioni me këtë bakterie është relativisht i rrallë, shkruan Gazeta Sinjali.
Simptomat e infeksionit
Mikrobiologu kosovar tha se simptomat e para zakonisht shfaqen 2 deri në 10 ditë por mund të arrijnë edhe deri në 19 ditë pas kontaktit me këtë baktere.
Por që sipas tij, kjo baktere shfaqet me simptoma te ndryshme, si këto:
Te disa persona simptomat shfaqen te ngjashme me atë te gripit, në raste te rralla shkon deri ne sëmundje kronike të mushkërive (pneumonia)
Pas inhalimit të bakteres Legionella. mund të keni simptoma të tilla: si një kollë të thatë, dhimbje gjoksi, diare, plogështi, marramendje, vjellje, temperature, dhembje koke dhe dhembje të muskujve.
Trajtimi
Vila shtoi për Sinjalin se trajtimi që duhet bërë ata që infektohen nga kjo baktere është me antibiotik dhe se kjo baktere mund të shkatërrohet nëse uji nxehet mbi 60 gradë për një kohë prej 10 minutash.
Lidhur me rastin e Deçanit, Vila tha se nuk përjashtohet mundësia që uji të jetë kontaminuar me mikroorganizma të tjera, si Vibrio, Entamoeba, Giardia etj.
Ai propozon që gjeotropikisht të mbikëqyren fshatrat apo vendet e përfshira në këtë rast se çka kanë të përbashkët në këtë vit, në dallim me vitet tjera si p.sh bujqësia, blegtoria apo ferma të ndryshme të shtazëve.