image Flet avokati i policit që plagosi dy qytetarë në Dragash: Njëri nga të plagosurit dyshoj se është pjesëtar i strukturave paralele të Serbisë

Siguri

Flet avokati i policit që plagosi dy qytetarë në Dragash: Njëri nga të plagosurit dyshoj se është pjesëtar i strukturave paralele të Serbisë

news image

Gazeta Sinjali raportoi më 4 mars se si zyrtari policor i Stacionit Policor të Prizrenit, Fadil Kadriaj, ka plagosur dy qytetarë në fshatin Glloboqicë të Dragashit. Ndaj të njëjtit është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar avokati i policit, Esat Guta, i cili po ashtu ka dhënë detaje për ngjarjen që ndodhi në Dragash.

“Polici, Fadil Kadriaj ka shkuar me një shok me shiku një veturë në këtë fshat, kur kanë arritur atje, e kanë marrë një bashkëfshatar për ta parë veturën. Ndërkohë kanë ardhur dy persona të tjerë, që e kanë sulmuar atë. Në momentin që polici ka ra në tokë, ka gjuajtur duke qenë i shtrirë dhe e ka plagosur njërin nga sulmuesit dhe bashkëfshatarin që u ka ndihmuar.

Sulmuesit kanë menduar se polici po dëshiron me vjedh veturën, pasi që polici nuk ka qenë me uniformë zyrtare. Arma e Fadilit i ka pasur 9 plumba, vetëm një herë ka gjuajtur. Menjëherë e ka raportuar rastin në Polici dhe është dorëzuar“, tha Guta për Sinjalin.

Guta tutje ka thënë se dyshon se njëri nga të dyshuarit ka mundësi të jetë pjesëtar i strukturave paralele të Serbisë, që veprojnë në Dragash.

“Atje po punuakan organet paralele të Serbisë. Unë si avokat dyshoj se njëri nga sulmuesit e policit, pra njëri nga të lënduarit të jetë pjesëtar i strukturave paralele të Serbisë”, shtoi ai.

Guta thotë tutje se masa e paraburgimit ndaj zyrtarit policor është caktuar për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”.

/GazetaSinjali/