Komisioni për Fqinjësi dhe Zgjerim ka hedhur poshtë deklaratat e Dragoslav Bokan, i cili tha sot se “non-paper” është shkruar nga Maja Kocijançiq, që aktualisht është anëtare e kabinetit dhe këshilltare e komunikimit në zyrën e Komisionerit për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, shkruan Gazeta Sinjali.
Nga zyra e Kocijançiq, në një përgjigje për Gazetën Sinjali i kanë demantuar këto raportime.
“Komisioni hedh poshtë këtë spekulim qesharak se një nga zyrtarët e tij qëndron pas kësaj letre të pretenduar. Komisioni nuk ka asnjë koment për një pretendim “non-paper” që nuk e ka prodhuar as marrë”, tha një zëdhënëse e lartë nga zyra e Komisionerit për Fqinjësi, për Gazetën Sinjali.
Tutje, në përgjigjen për Sinjalin thuhet se “Ne vetëm mund të kujtojmë dhe përsërisim mbështetjen e vazhdueshme dhe të qartë të BE-së për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ballkanit Perëndimor”.
Sot, regjisori serb, Dragoslav Bokan deklaroi se pas “non-paper” për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi, qëndron Maja Kocijançiq.
Bokan, si mysafir në TV Pink, gjithashtu deklaroi se ai beson se Kocijançiq mund ta kishte shkruar vetë një “non-paper”-in që parashikon pikat mbi të cilat Kosova dhe Serbia do të mund ta nënshkruanin marrëveshjen përfundimtare.
“Karakteri i Maja Kocijançiq është shumë interesant, nuk ka asnjë informacion për të, nuk ka biografi të saj askund, ju e dini që ajo ka bashkëpunuar me Mogherinin, me Varhelyi, por nuk keni asnjë informacion për datën e saj të lindjes, cilën shkollë e ka mbaruar… Kështu që ju keni disa forma të reja të politikës, në të cilat mbështetet ky ‘non-paper”, tha Bokan.