Flamuri i Kosovës i punuar me letra origami ka arritur të futet në librin e rekordeve botërore “Guinness”, shkruan Gazeta Sinjali.
Kështu ka bërë të ditur autorja e këtij punimi, Arbnora Fejza Idrizi.
“Me shumë emocione dhe krenari, dua t’ju njoftoj që Guinness World Records sapo ka aprovuar rekordin tonë për Mozaikun më të Madh Origami – Flamurin e Republikës së Kosovës. Të gjitha detajet dhe linkun zyrtar do t’i ndajmë me ju nesër”, ka shkruar ndër të tjera ajo në Facebook.
Arbnora tha se i janë dashur një vit përgatitje dhe 120 mijë fletëpalosje origami.
“Këtë flamur e kemi ndërtuar me shumë punë e përkushtim për të festuar ditën e pavarësisë, e ky certifikim është një vulë se puna e mirë shpërblehet në fund çdoherë. 1 vit përgatitje, 4 muaj për të krijuar mbi 120,000 fletëpalosje origami, 13 orë punë intenzive me gjithë ekipin për të krijuar Mozaikun më të Madh Origami më Flamurin e Republikës së Kosovës dhe për të vendosur një rekord të ri botëror”.
Ky punim është bërë për nder të 13-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës./Gazeta Sinjali/