image Fillon numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta

Fillon numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta

news image

Në Qendrën e Numërimit të Votave ka filluar numërimi i votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta, shkruan Gazeta Sinjali.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

“Ju njoftoj se Komisioni Qendror i Zgjedheve ka filluar me numërimin e votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta, të cilat janë vendosur në ditën e zgjedhjeve në vendvotimet e dyfishta, por edhe në adresa të ndryshme jashtë vendvotimeve. Janë rreth 31 mijë e 500 vota me kusht dhe rreth 2 mijë e 800 vota të personave me nevoja të veçanta, të cilat u takojnë komunave të ndryshme dhe që do të numërohen këtu në QNR”, tha Elezi.

Menjëherë pas tyre, ai tha se do të fillojë edhe numërimi i fletëvotimeve të cilat kanë ardhur përmes postës nga 2 deri më 12 shkurt.

“Pas përfundimit të premten në mesnatë të rinumërimit të 552 vendvotimeve, numërimi i këtyre fletëvotimeve shënon fazën përfundimtare para se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mund të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 14 shkurt”, tha ai.

Zëdhënësi i KQZ-së njoftoi se numri më i madh i fletëvotimeve me kusht, pra me numër katërshifror, u takojnë komunave: Prishtinë 7 mijë e 520; Prizren 2 mijë e 953; Fushë Kosovë 1 mijë e 562; Suharekë 1 mijë e 538; Mitrovicë e Jugut 1 mijë e 528 dhe Gjakovë 1 mijë e 521./Gazeta Sinjali/