image Fillimisht ia punësoi gruan në Postë, më pas e merr në PDK

Kosovë

Fillimisht ia punësoi gruan në Postë, më pas e merr në PDK

news image

Favori kthehet me shërbim. Kështu të paktën mund të jetë rasti i aderimit më të ri në PDK, Riad Ramadanit. Punësimi i bashkëshortes së tij, pa konkurs publik, në Postën e Kosovës ka çmimin e të anëtarësuarit në PDK.

Riad Ramadani i është bashkuar sot Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) pasi kohë më parë, kishte rehatuar bashkëshorten në Postën e Kosovës përmes lidhjeve klienteliste me ish drejtuesit e kësaj ndërmarrjeje.

Sinjali merr vesh se Venera Ejupi ishte punësuar në Postën e Kosovës nga miku i tij Sejdi Hoxha në kohën kur ky i fundit kishte udhëhequr këtë institucion. Hoxha gjatë ditës së sotme ka prezantuar bashkëshortin e Veneres, Riadin si anëtar të ri të PDK-së.

Riad Ramadani së bashku me Sejdiu Hoxhen dhe Kadri Veselin janë shfaqur në një fotografi të buzëqeshur me rastin e njoftimit për aderimin e Ramadanit.

Hoxha në postimin e i tij në Facebook, ka thënë se mikut të tij, Riad Ramadanit i ka uruar mirëseardhje në PDK.

“Sot pata kënaqësinë qe së bashku me Kryeministrin e ardhshëm të Kosovës z. Kadri Veseli ti uroj mirëseardhje në PDK mikut tim Dr. Sc. Riad Ramadani. Riadi është i doktoruar në Universitetin e Mariborit në Slloveni me bursë te plotë Erasmus të Komisionit Europian. Ekspert si Riadi janë vlerë dhe pasuri e shtuar për Kosovën dhe institucionet e saj.  Sejdi Hoxha”, ka shkruar Hoxha.

Ky aderim ndodh në kohën kur kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka filluar para-fushatën duke proklamuar luftimin e korrupsionit dhe nepotizmit. Sinjali ka raportuar se Veseli kishte rehatuar në postë edhe shoqen e ngushtë të bashkëshortes së tij si dhe për disa raste se si anëtarët e PDK-së kanë fituar poste të rëndësishme në institucionet shtetërore përmes lidhjeve politike e klienteliste.

Sejdi Hoxha kishte dhënë dorëheqje nga post i drejtorit ekzekutiv më 7 gusht të këtij viti. /Sinjali/