Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, sot, ka mbajtur mbledhjen e radhës nën drejtimin e presidentit Agim Ademi. Në këtë mbledhje u diskutua për gjendjen e përgjithshme në vend dhe veçmas në futboll, ku që nga 13 marsi është pezulluar aktiviteti si pasojë e pandemisë Covid-19. KE shqyrtoi situatën e krijuar pas kësaj pandemie dhe diskutoi për hapat që duhet ndërmarrë në mënyrë që të rifillojë kampionati.
KE unanimisht vendosi për rifillimin e kampionatit, gjithmonë nëse nuk do të ketë ndonjë përkeqësim të situatës me pandeminë në javët në vazhdim dhe gjithçka do të bëhet në koordinim të plotë me institucionet e vendit. Me këtë rast, FFK do t’i ndërmarrë të gjitha masat mbrojtëse në stadiume dhe do t’i respektojë të gjitha rekomandimet që vijnë nga institucionet shëndetësore, në mënyrë që të gjithë pjesëmarrësit në një ndeshje futbolli të jenë të sigurt.
KE përpiloi edhe një pasqyrë të orarit të ndeshjeve të mbetura, e që është në koordinim të plotë me kërkesën e UEFA-s për përfundimin e edicionit më së largu deri më 20 korrik. KE do ta paraqesë këtë format të kalendarit në institucionet shëndetësore dhe në ato vendimmarrëse të vendit, me kërkesën që ekipeve t’u mundësohet fillimi i stërvitjeve në grupe nga 10 maji, derisa rifillimi i garave të bëhet me ndeshjet gjysmëfinale të Digitalb Kupës së Kosovës më 23 e 24 maj, ndërkaq kampionati i Ipko Superligës të vazhdojë nga 30 maji dhe xhirot e mbetura të luhen deri më 15 korrik. Ky edicion i garave do të mbyllet me finalen e kupës më 18 korrik. Të gjitha ndeshjet do të luhen pa shikues dhe me masa të rrepta sigurie për shëndetin e futbollistëve dhe pjesëmarrësve tjerë në ndeshje.
Tani i mbetet krerëve të FFK-së që në ditët e ardhshme të takohen me drejtuesit e institucioneve dhe të dakordohen për hapat e mëtutjeshëm, ngase më 24 maj FFK është e obliguar ta njoftojë UEFA-n për vazhdimin ose jo të garave të këtij edicioni.
Pra, KE edhe një herë unanimisht u deklarua për rifillimin e garave me formatin e njëjtë, për çka kërkon edhe nga institucionet që ta kenë në konsideratë nevojën për rifillimin e futbollit si një segment tejet i rëndësishëm në vendin tonë. KE vlerëson se kjo është mënyra më e mirë që skuadrat pjesëmarrjen në garat evropiane ta sigurojnë në bazë të meritës dhe cilësisë në fushën e gjelbër, porse gjithçka do të varet nga vendimet e institucioneve.
Në rast se gjendja me pandeminë përkeqësohet apo institucionet shëndetësore e vlerësojnë të rrezikshme vazhdimin e garave për shëndetin e futbollistëve dhe pjesëmarrësve tjerë në një ndeshje, atëherë KE i FFK-së do t’i zbatojë me përpikëri udhëzimet e UEFA-s.
Gjatë kësaj mbledhje KE diskutoi edhe për ecurinë e pakos emergjente të FFK-së si dhe për fondet e FIFA-s dhe UEFA-s. Me këtë rast, sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu njoftoi anëtarët e KE-s se mjetet e UEFA-s nuk janë fond shtesë por janë të dedikuara si çdo vit për çdo federatë nëpërmjet programit ‘HatTrick’, por që këtë herë UEFA për shkak të situatës së pandemisë i ka përshpejtuar procedurat për tërheqjen e këtyre mjeteve.
KE diskutoi edhe gjendjen e klubeve dhe u dakordua që t’i shqyrtojë të gjitha format dhe mundësitë për t’i ndihmuar ato. KE është duke pritur alokimin e mjeteve nga pako ndihmëse e Qeverisë dhe të gjitha këto mjetet do t’u shkojnë klubeve, derisa do të shqyrtohen edhe mundësitë tjera.
Në fund, KE diskutoi edhe për ankesa dhe parashtresa drejtuar këtij organi.