Mbi 80 mijë njerëzit janë duke fjetur nën qiell të hapur dhe në temperatura të ulëta pas zhvendosjes nga shtëpitë e tyre në Idlib të Sirisë.
Rreth 20 mijë prej tyre po flenë nën pemë për t’u mbrojtur sado pak nga të reshurat.
Sipas të dhënave të Komitetit Ndërkombëtar për Shpëtim, deri tani janë raportuar gjashtë fëmijë të vdekur. Në mesin e të vdekurve ishte edhe një familje, e cila nuk kishte arritur të gjente strehë.
Shkalla e krizës humanitare i ka shokuar punëtorët e organizatave bamirëse dhe zyrtarët, shkruan “The Independent”.
“Në mënyrë të paimagjinueshme, një situatë tashmë katastrofale në veriperëndim të Sirisë po bëhet edhe më e rëndë”, tha Misty Buswell nga ky komitet.
Pas mbushjes së kampeve të përkohshme, dyert për refugjatët i hapën edhe shkollat dhe xhamitë. Megjithatë, edhe ato janë mbushur dhe shumë njerëz kanë mbetur pa strehë.
Shtresa e borës në një pjesë të Sirisë e ka rënduar edhe më shumë gjendjen. Në kohën kur temperaturat kanë rënë në -11 gradë, njerëzit po djegin rroba, goma dhe qese plastike për t’u ngrohur./Gazeta Sinjali/