Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me rastin tragjik, ku kanë humbur jetën dy fëmijë pasi që kishin rënë në një pusetë, të cilët edhe kishin lidhje familjare.
Se fëmijët kishin lidhje familjare e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani i cili tha se rasti është cilësuar si hetim mbi vdekjen.
Kelani ka sqaruar se fillimisht në pusetë kishin hyrë tre fëmijë, ndërsa 2 prej tyre nuk kanë arritur të mbijetojnë.
Kelani po ashtu ka treguar se fëmija i parë është nxjerrë nga një banor i Milloshevës, por fatkeqësisht ndihma e parë e dhënë nga ai dhe policia e Kosovës nuk ka arritur t’ia shpëtojë jetën.
Ai gjithashtu ka treguar se fëmijët janë të moshës 9 dhe 11-vjeçar.
“Më lejoni që në emër të policisë së Kosovës t’iu shprehim ngushëllime familjes. Në këtë rast të cilësuar si hetim mbi vdekjen, kanë humbur jetën dy fëmijë. Fillimisht dua t’iu them që Policia e Kosovës rreth orës 15:00 ka pranuar në informacion se në një liqe artificial që gjendet prapa nesh, 3 fëmijë kanë shkuar për t’u larë dhe nga informacionet e para thuhet se 2 prej tyre kanë hyrë në liqe dhe nuk kanë mundur të dalin, më pastaj një fshatar këtu ka marrë veprime dhe njërin ka arritur ta nxjerrë nga lumi. Policia ka arritur në vendin e ngjarjes, ka tentuar t’i jep ndihmën e parë, fatkeqësisht në këtë rast është konstatuar se ka humbur jetën. Rreth orës 17:10 kanë arritur të nxjerrin edhe fëmijën e dytë. Në vendin e ngjarjes kanë dalur të gjitha ekipet e nevojshme dhe ekipet emergjente të FSK-së, kanë bërë të pamundur që fëmijët t’i gjejnë dhe t’i shpëtojnë nga ky liqe, por dy fëmijë fatkeqësisht kanë humbur jetën. Njëri prej tyre ka arritur të shpëtojë. Bëhet fjalë për fëmijë të moshës nga 9 deri në 11 vjeçar. Informacionet e para tregojnë se kanë lidhje familjare apo miqësie mes veti por këto janë vetëm informacionet e para”, tha Kelani para mediave në vendin e ngjarjes. /Gazeta Sinjali/.