image Arrestohet i dyshuari që qëlloi me armë një person në afërsi të zyrave të EULEX-it

Siguri

Arrestohet i dyshuari që qëlloi me armë një person në afërsi të zyrave të EULEX-it

news image

Policia e Kosovës ka arrestuar një të dyshuar i cili kishte shtënë me armë zjarri ndaj një personi, më datë 08.11.2020 rreth orës 10:45, në rrugën “Astrit Dehari” në Prishtinë, shkruan Gazeta Sinjali.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar Agron Borovci, i cili është zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës.

“Që në kontaktin e parë me viktimën  ndërlidhur me veprimet policore për hetimin dhe ndriçimin e rrethanave të ngjarjes, është ngritur dyshimin se i dyshuari një mashkull 35 vjeç, i njohur për policinë, me veturën e tij, pasi i ka pamundësuar lëvizjen e veturës së viktimës, ka dalë nga vetura dhe ka shkrepur armën, veprim ky me të cilin ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm”.

Borovci tha se në vazhdimësi të hetimit preliminar me qëllim hetimin dhe ndriçimin e rrethanave të rastit, janë ngritur dyshimet se i dyshuari pasi ka shkrepur armën, ka kanosur ankuesin si dhe të njëjtin e ka goditur në kokë duke i shkaktuar lëndime.

Policia e Kosovës njofton se në ndërkohë viktimës i është ofruar trajtimi i nevojshëm mjekësor dhe pastaj ka vazhduar me veprime të tjera operativo-hetimore dhe atyre të ekzaminimit.

Borovci theksoi se është bërë  këqyrja e vendit të ngjarjes me qëllim kërkimin, gjetjen dhe mbledhjen e provave, dëshmive dhe të dhënave të tjera që do ti shërbenin hetimit të mëtjemë.

“Gjithashtu pas marrjes së autorizimit nga prokurori i shtetit policia ka kryer edhe një operacion bastisjeje në adresën e të dyshuarit porse i njejti nuk është gjetur aty.Hetimi është thelluar edhe më tej ndërkaq dinamika e veprimeve policore ka trasuar orientimin e zbardhjes së plotë të ngjarjes me fokus zbulimin e vendndodhjes dhe kapjen e të dyshuarit”.

Ndërkaq, Borovci u shpreh se sot më datë 10.11.2020 i dyshuari është paraqitur në njësinë e hetimeve të përgjithshme të rajonit të Prishtinës, duke dorëzuar edhe armën që dyshohet të jetë përdorur në rastin në fjalë.

Ndaj të njëjtit, policia ka shqiptuar masën e arrestit policor dhe me autorizimin e Prokurorit të Shtetit, të njëjtin e kanë dërguar në mbajtje prej 48-orësh. /Gazeta Sinjali/