Sot u bë zyrtare se kampionati aktual në basketboll të anulohet krejtësisht.
Pas kësaj ka ardhur edhe reagimi i klubit KB Prishtina.
Ata e cilësojnë këtë vendim si të duhur pasi që aktiviteti sportive në këto rrethana nuk është as primar e as sekondar.
Ky është postimi i plotë i tyre:
Të nderuar Plisa, E dashur Prishtinë!
Pas situatës së krijuar nga përhapja e pandemisë globale Covid-19, sot Federata e Basketbollit të Kosovës ka anuluar edicionin 2019/20 të superligës së Kosovës në Basketboll.
Duke marrë parasysh rrethanat e krijuara nga pandemia, ne e cilësojmë si të duhur këtë veprim të Federatës pasi që aktiviteti sportiv në këso rrethana nuk është as primar e as sekondar.
Edhe pse në shumë vende tjera të Evropës si Lituania, Belgjika, Suedia, Sllovakia, Bosnja e Hercegovina etj. kampionatet në basketboll janë ndërprerë dhe ekipi që gjendet në pozitën e parë në tabelë është shpallur kampion, KB Sigal Prishtina është kundër një praktike të tillë dhe vlerëson se është vendim i drejtë që kampionati të përfundojë pa fitues.
Ne e vlerësojmë se trofetë, titujt e kupat fitohen në parket ashtu siç edhe i kemi fituar të gjitha deri më sot vite me radhë.
Jeta dhe shëndeti i të gjithë neve është dhe duhet të jetë prioritet i secilit prej nesh, andaj ne ju lusim të gjithëve që të jeni sa më të kujdesshëm për veten dhe të tjerët që sa më shpejtë të dalim nga kjo situatë dhe sa më shpejtë t’i rikthehemi normalitetit dhe njëkohësisht edhe garave dhe emocioneve basketbollistike.
Me këtë rast, një falënderim të veçantë dhe mirënjohje të thellë ua dedikojmë gjithë personelit shëndetsor, policisë dhe ushtrisë së Kosovës, mediave, si dhe gjithë atyre të cilët pa rezerva po angazhohen në tejkalimin sa më të lehtë të kësaj situate me të cilën po përballet e gjithë bota.
Duke ju uruar Shëndet, Ju falemnderit të gjithëve që mbështetët klubin në cdo moment të këtij edicioni.