image Fauci flet për rreziqet e mëdha që u vijnë fëmijëve nga koronavirusi

Botë

Fauci flet për rreziqet e mëdha që u vijnë fëmijëve nga koronavirusi

news image

Eksperti kryesor amerikan për sëmundjet ngjitëse, Dr. Anthony Fauci ka thënë se autoritetet lokale duhet të vendosin nëse do t’i rihapin shkollat për vitin e ri shkollor në vjeshtë.

I pyetur lidhur me insistimin e presidentit Donald Trump për rihapjen e shkollave sa më parë, Dr. Anthony Fauci, drejtor i Institutit të Sëmundjeve Infektive dhe Alergjike tha:

“Synimi i parë duhet të jetë që fëmijët të kthehen në shkollë”.

“Nëse flitet për një pjesë të vendit ku aktiviteti i sëmundjes është minimal, nuk ka asnjë problem për rikthimin e fëmijëve në shkollë. Në zona ku pandemia është duke u përhapur, vendimin duhet ta marrin autoritetet locale”, tha Dr. Fauci në një aktivitet të organizuar nga Universiteti Georgetown.

Dr. Fauci foli në radhë të parë për problemet që shkakton mbyllja e shkollave për fëmijët, si arsye e parë për rihapjen e tyre:

“Duhet të përpiqemi për rihapjen e shkollave, për arsye se mungesa e mësimit në klasa ka pasoja në të ardhmen e fëmijëve. Po ashtu një arsye tjetër është efekti tek familjet e klasës punëtore që kanë nevojë t’i kenë fëmijët nën përkujdesje. Ndikimi mbi këto familje dhe mbi ekonominë nëse nuk hapen shkollat mund të jetë shumë i madh. Për më tepër është edhe ndikimi negativ që ka tek fëmijët mbyllja e shkollave”, tha Dr. Fauci.

Ndërkohë që po afrojnë zgjedhjet e nëntorit, presidenti Trump e ka përsëritur me të madhe se do rihapjen e ekonomisë. Ai ka bërë presion për rihapjen e shkollave që u japin mundësi më të madhe prindërve të kthehen në punë, pa pasur preokupimin e përkujdesjes për fëmijët në moshë të vogël, shkruan VOA.

Presidenti ka kërcënuar se Departamenti i Thesarit do të rishikojë statusin e shkollave si institucione të përjashtuara nga taksat si dhe mund të reduktojë fondet federale për shkollat nëse nuk rifillon mësimdhënia në klasa.

Nuk është e qartë se si mund të realizohet reduktimi i fondeve pasi në masë të madhe shkollat financohen nga qeveria shtetërore dhe jo ajo federale.

Disa distrikte në shtete të caktuara kanë filluar të njoftojnë plane për rihapjen, ndërsa të tjerë kanë thënë se do të vazhdojnë mësimdhënien kryesisht përmes internetit dhe me hapje të kufizuar të shkollave. /Gazeta Sinjali